Bashkimi Evropian dënon sulmin e Rusisë në qendrën tregtare në Ukrainë

Bashkimi Evropian (BE) dënoi sulmin e Rusisë ndaj një qendre tregtare në të cilën ndodheshin civilë në qytetin Kremenchuk të Ukrainës.

Në një deklaratë me shkrim nga zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, theksohet se BE-ja dënon në mënyrën më të fuqishme sulmin.

Gjatë sulmit në qendrën tregtare ndodheshin qindra civilë, njoftohet në deklaratën në të cilën thuhet se: “Ky është një ndër aktet më të neveritshme në mesin e një sërë sulmesh kundër civilëve dhe infrastrukturës civile nga Forcat e Armatosura Ruse, duke përfshirë edhe sulmet raketore ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës civile në Kiev dhe në zona të tjera.

“Bombardimi i vazhdueshëm i civilëve dhe objekteve civile është absolutisht i papranueshëm dhe përbën krim lufte. E gjithë përgjegjësia për këto veprime agresive dhe të gjitha shkatërrimet dhe humbjet e jetëve që këto kanë shkaktuar i përkasin Rusisë”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se BE-ja do të vazhdojë ndihmat humanitare, ekonomike, ushtarake dhe sociale për Ukrainën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se forcat ruse dje goditën qendrën tregtare në qytetin Kremenchuk në zonën Poltava në të cilën ndodheshin mbi 1.000 civilë. Si pasojë e sulmit humbën jetën 10 persona dhe u plagosën mbi 40 të tjerë.

Burimi: AA