DASH: Investitorët e huaj e kanë të vështirë të bëjnë biznes në Shqipëri, problem korrupsioni e PPP-të

Departamenti Amerikan i Shtetit në SHBA ka publikuar raportin e Klimës së Investimeve me 2022 për Shqipërinë.

Ndër të tjera aty thuhet se investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes për shkak të korrupsionit dhe prokurimet publike.

“Si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK).

Pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin endemik, përfshirë në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri. Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme.” – thuhet në raport.

Ndërkohë, me sy të keq shihet edhe përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë

“Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme.”

Aty shtohet se investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit.

“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar.”

Burimi: Ora News