Figurat fetare dhe edukimi i xhematit

Nga: Alban Gorishti

Si fillim desha të nënvizoj se ky artikull nuk është polemizues por shqetësim ngritës, konsult kërkues dhe padyshim orientues.

Para se t’ia nis në shtjellimin e temës dëshiroj të bëj një prezantim të shkrutër me stërvitësin e njohur të kafshëve në SHBA, Cesar Milan. Cesar Milan është një personazh tashmë i mirënjohur në shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht për cilësitë e tij të spikatura jo vetëm si stërvitës (edukues) i kafshëve por edhe njohës i jashtëzakonshëm i psikologjisë kafshërore. Kam disa kohë që po i ndjek në mënyrë të pavullnetshme videot e tij në facebook, dhe ajo që më së tepërmi më ka bërë përshtypje tek ai është aftësia e jashtëzakonshme për të trajtuar çdo rast në mënyrë rënjësore, qofshin ato rastet më të ashpra për shkak të vet natyrës së kafshës. Nëse futesh në faqen e tij në youtube lexon tituj si: “Si ta bëni qenin tuaj t’ju dëgjojë, si të ecni me një qen të shqetësuar, si ta ndaloni qenin tuaj të sulmojë njerëzit, si të zgjidhësh agresionin e pamatur tek qëni jot etj etj”. Ndërkohë që po shikoja mentalitetin e tij gjatë
aplikimit të psikologjisë më bazike, mu bënë të qarta disa çështje, e para se orientimi dhe udhëzimi i “kopesë” që ke në përgjegjësi nuk është vetëm me të thënë por edhe me të dhënë, po ashtu se të mjafton pak dashamirësi për të kuptuar psikologjinë bazike në mënyrë që ta kthesh në mjet përmirsues dhe edukues tek masat të cilat janë aq të nevojshme për mirkuptim dhe orientim psiko-somatik. Po ashtu kuptova se nëse ky edukim arrihet me qënie kaq të egra të cilat nuk janë të afta të kuptojnë gjuhën me të cilën Zoti i ka pajisur njerëzit, atëherë është shumë më përparësore që kjo përpjekje psikoterpapeutike të aplikohet edhe tek njerëzit. Është i habitshëm autoriteti dhe perceptimi i saktë që ushtron Cesari mbi kafshën e pamësuar, apo të keq edukuar nga ata që i kanë në posedim. Mjaftojnë 2 minuta përshkrim të situatës (apo shikim i drejtpërdrejtë) dhe menjëherë fillon riedukimi fizik i kafshës nëpërmjet metodave psiko-terapeutike nga më të shumllojtat, madje Cesari ka edhe një qendër të madhe ku trajton rastet më të vështira. Suksesi i tij në këtë fushë e ka bërë të denjë të quhet “psikologu i kafshëve” (flas për kulturën në anën tjetër të oqeanit).

Shembullin e këtij edukuesi të jashtëzakonshëm të kafshëve dua ta krahasoj në rangun edukues me figurat fetare. A arrijnë ta bëjnë figurat fetare me këtë devocion dhe përpikmëri edukimin e xhemateve?
A përpiqen ata me të vërtetë të rekuperojnë problematikat psikologjike tek njerëzit, edhe pse tek ata ndoshta është më e lehtë pasi njeriu ta shpreh problemin që ka nëpërmjet bejanit (qartësisë së të shprehurit) ndërsa kafsha jo. Por e keqja më e madhe është se nuk shoh as një përpjekje për ta përmirësuar performancën e vet si “inspirues” të së mirës (edukues) në mendjet e vuajtura njerëzore.
Kjo e fundit është ajo që gjatë shikimit të këtij rasti më bëri më shumë përshtypje, mungesa e dashamirësisë, vullnetit për tu ardhur në ndihmë psikologjisë së përçunduar të njeriut modern edhe pse dijet empirike sot janë kollaj të aksesueshme. E kjo nuk është diç të cilën po e formuloj nga asgjëja fetare por pikërisht nga rastet e shumta në të cilat pejgamberi ynë alejhi selam, u tregua përveç se edukator i shkëlqyer por po ashtu edhe psikolog i jashtëzakonshëm, raste të tilla si ai me beduinin që urinoi në xhami, me të riun që dëshiroi të bënte imoralitet, me njerëzit që sapo e shërbenin me diç ai i motivonte nëpërmjet metodës së shpërblimit e cila u jepte vlerë atyre duke i dhënë po ashtu edhe një pozitë tek njerëzit si “ndihmuesi i pejgamberëve”. E shumë raste të tjera të cilat nëse u shtojmë metodat më inovative të disiplinimit piko-somatik atëherë kemi për të pasur rezultate afatgjata duke e filluar
ndryshimin nga qeliza e personalitetit njerëzor, zemra dhe emocionet e tij. Ndaj thelbin fetar e pasurojmë me degëzimin shkencor për të rritur brezat nën ndikimin e pozitivitetit që përçon mënyra edukative profetike në çlirimin e nefsit njerëzor prej prangave të vesit dhe shqetësimeve që sjell kjo botë.

Por ku është problemi? Dhe përse shtrohet çështja kështu?

Ky imazh i portretizuar këtu nuk është një përpjekje për ta shpjeguar Islamin me sisteme alternative por një rikthim i qëllimeve brenda zbulesës islame të cilat shpesh anashkalohen duke sjellë pasoja të paimagjinueshme negative. Islami në aspektin e vet “frymëzues” shpesh përkufizohet si angazhim hermeneutik me pretekstin, tekstin, dhe kontekstin e zbulesës Islame. Janë të tëra këto që në mungesë të tekstit kategorik i japin objektivave (pre-tekstit) sheriatike dobi dhe efektivitet të pakufizuar në kohë. Kështu nëse angazhimi i muslimanëve (sidomos të vendeve me background afetar) është njësh me pre-tekstin, tekstin dhe kon-tekstin e zbulesës Islame – e kuptuar këtu si Kur’an dhe ḥadith – atëherë
harmonizimi i problematikave ka për të zbutur impaktin social të asaj që quhet vështirësi literale e implementimit të tekstit. Në mënyrë që objektivi (pre-teksti) të shndërrohet në zgjidhëse, orientuese të niveleve negative të ilustrimit populist, ndërsa kuptimi Individual I tekstit mos të shndërrohet në një pengues të zhvillimit të mëtejshëm të tekstit brenda kontekstit social . Kjo pasi sic thuhet “Kon-Teksti është qyteti shekullor i Islamit, një qytet i madh dhe i shtrirë që konsiston në gjithfarë godinash për gjthfarë qëllimesh, i jetuar nga Muslimanët e kaluar dhe të kohës së sotme”.

“Kon-teksti, atëherë, në tërësinë heterogjene të produktit historik të angazhimeve të hershme hermeneutike me Pre-Tekstin (objektivat), Tekstin, dhe Kon-Tekstin e Zbulesës Hyjnore: është e tërë
depoja e mjeteve dhe e kuptimeve të Islamit” (citim) që janë nën prodhim të vazhdueshëm të produktit përfundimtar, manifestimit, qëndrueshmërisë (apo jo) së tjetërsimit pozitivist të një kulture nën hegjemoninë e hermeneutikës së objektivave islame.

Pavendosmëria, kontradikta dhe paradoksi, janë shpesh fenomene që shoqërojnë procesin propagandues të disa figurave fetare, shpesh nuk mendohen para se të flasin, por as nuk thellohen kur japin verdikte fetare duke parë gjithsesi që rasti ndryshon nga rasti dhe problematika ndryshon nga problematika. E kështu teksti shpesh mbi individin e “sëmurë” nuk ka efekte kurative por ç´rrënjosëse të çdo harmonie të mëpasshme doktrinore. E kështu idhujt (shqetësimet) në zemrën e njeriut sa vijnë e shtohen, ndërsa të parët thanë se: Turpërohem që Zoti të shikoj në zemrën time dhe të gjej se në të adhurohet diçka apo dikush tjetër përve ç Tij”. Ndërsa ne nuk turpërohemi që shqetësimet njerëzore ti
kthejmë në siguri, ndërsa trishtimin e kësaj bote në shpresë të pashterëshme në hyjnoren. Por feja është e pandryshueshme si dhe dispozitat e saj, ajo që ndryshon është fokusi (portreti) tek prioritetet njerëzore si dhe aplikimi i dispozitave sipas realiteteve dhe ndodhive të ndryshme. Ndërsa tek ne realitetet që kanë të bëjnë me sferë psikologjike janë më priortare për tu parë objektivisht dhe për tu angazhuar me tërë fuqinë e tekstit e pasuruar nga dijet alternative të cilat i mundësojnë figurave fetare të zbusin edhe “kafshën” (nefsin) më të egër apo të fetarizojnë (afrojnë me besimin) edhe mendjen më laike. E kështu “të folurit” me Zotin ta bëjmë imperativ të një shoqërie që çdo ditë e më tepër nuk po largohet vetëm nga Zoti por edhe nga njohja e vetes në mënyrë që sikurse Cesar Milani të largojmë sa me tëpër të keqen (ç`edukimin mendor) duke maksimizuar sa më shumë të mirën që sikurse e keqja
janë prezente tek njeriu si një tërësi. Por sikurse historia me ujkun, fituesi midis të dy “ujqërve” do të
jetë ai i cili ushqehet më shumë nga vet njeriu. Është lehtësim i madh kur dikush identifikohet në mënyrë psiko-edukative me ndjenjat e tua, i cili kupton se çfarë po përjeton tjetri. I tillë ishte pejgamberi ynë, alejhi selam, empatia dhe humanizmi i të cilit shpesh shihej e pasqyruar në fytyrën e tij (rasti me delegacionin nga populli i Mudarit) ndërsa asocimi i tërë kësaj empatie me shembullin e tij personal si përfundim i nxirte njerëzit nga errësira në dritë.

Si thoni a do të jemi të aftë të frymëzohemi nga shembulli i Cesar Milan? A do të mundemi edhe ne ti
edukojmë njerëzit duke marrë shembull nga ajo që Cesari ka arritur me kafshët? Po ne kur do ta hapim
qendrën tonë të rehatisë psikoterapeutike? Bima drejtohet sa është e njomë…..