Xhaçka: Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pas takimit me homologen e saj Donika Gërvalla ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes me Serbinë dy ditë më parë.

Ajo tha se arritja e marrëveshjes është pa dyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por për mbarë rajonin.

“Unë dua ta përgëzoj publikisht Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes para dy ditësh që jo vetëm ndihmon për uljen e tensioneve, por edhe krijon kushte shumë më të përshtatshme për t’u fokusuar me urgjencë me mbështetjen e ndërmjetësimin e aleatëve evropian e amerikan tek arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve”, tha ajo, duke garantuar mbështetjen e pakufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi.

Kryediplomatja shqiptare tha se Qeveria e Shqipërisë i mbështetë aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik sikurse që mbështetë të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të FSK-së në një Forcë të Armatosur.

“E mirëpresim synimin e Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe, duke ofruar edhe ekspertizën tonë, ndërkohë do të vazhdojmë të këmbëngulim për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut”, tha ajo.

Xhaçka tha se janë të angazhuar fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, nga i cili institucion ajo kërkoi të merren në konsideratë shqetësimet e Shqipërisë lidhur me akuzat e pretenduara në rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011, për trafik organesh.

“Do të ishte në nderin e Asamblesë që të vërë në vend këtë padrejtësi pas hetimeve të thelluara ku nuk u provua dhe nuk përmendet më asnjë rresht trafiku i organeve”, tha ajo.

Xhaçka, tha se Shqipëria në vijimësi ka ngritur zërin në mbështetje të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit.

“Kemi ngulmuar që Kosova më nuk është çështje që duhet të përfshihet në punën e Këshillit, që raportimet duhet të bëhen një herë në vit dhe që UNMIK ka humbur rolin që ka pasur dhe mandati e aktiviteti i tij duhet të reduktohen ndjeshëm”, shtoi ajo.

Kur foli për liberalizimin e vizave, tha se kjo çështje duket se më në fund ka hyrë në rrugën e zgjidhjes, por izolimi i deritashëm sipas saj ka qenë i padrejtë e i pakuptimtë.

“Nuk më ka më asnjë justifikim për të zvarritur më tej këtë çështje e për ta mbajtur pezull këtë situatë që do të thosha se është absurde. Garantoj që Shqipëria do të bëjë çdo gjë që ka në dorë për ta mbështetur Kosovën”, shtoi kryediplomatja shqiptare.

Ajo tha se shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, janë garancë të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

“Është bërë shumë progres, por ka ende shumë punë për të bërë dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria e Kosova janë dakorduar për afirmimin e interesave kombëtare, ku një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe interesave të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës, duke vënë theksin në nevojën e mbështetjes më tej në projekte të përbashkëta”.

Ndërkohë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla duke e quajtur motër homologen e saj nga Shqipëria, tha se është e bindur se çdo qytetar i Kosovës është shumë i lumtur që Xhaçka sot është në Kosovë.

Tha se bashkë folën për shumë çështje, për hallet e sfidat e përbashkëta.

“Biseduam gjerë e gjatë për shumë çështje, për temat tona, hallet tona, sfidat tona e planet e përbashkëta që i kemi sepse Republika e Shqipërisë nuk ka si të jetë ndryshe, përveç se motra jonë, dhe dy shtetet tona motra kanë dëshmuar jo vetëm orientimin e tyre të padiskutueshëm pro evropian e pro perëndimor, por e kanë dëshmuar vetën si shtytësit kryesor të progresit në zhvillimin rajonal dhe iniciativat e ndryshme rajonale”, tha Gërvalla.

Tutje, ajo tha se përveç diskutimeve për marrëveshjet e deritashme, biseduan për shumë tema të tjera që fillojnë që nga shkëmbimi i diplomatëve, nga shërbimet e përbashkëta e për temat e mërgatës.

“Sepse qytetarët tanë në mërgatë nuk e ndajnë vetveten në qytetar që vijnë nga Tirana e Prishtina, por ata i ndajnë të njëjtat halle. Biseduam se si do të mund të ofrojmë mundësi më të mira që gjeneratat e ardhshme në mërgatë t’i kenë më të prekshme më cilësore ofertat për mbajtjen e kultivimin e gjuhës shqipe, dhe jam e lumtur që se bashku me ministren do të përqendrohemi edhe më shumë në një koordinim më të mirë të ofertave të shumta. Kosova e ka një përvojë të mirë në organizimin e mërgatës”, tha ajo.