Biden letër Begajt për Pavarësinë: Mbështetje për Shqipërinë në rrugën drejt BE

Me rastin e festës së Pavarësisë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një mesazh Presidentit shqiptar, Bajram Begaj.

Në mesazh thuhet se ky vit që shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona është një partneritet që ka çuar përpara prosperitetin dypalësh, ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ka forcuar sigurinë globale.

Bajden shkruan se si aleatë të NATO-s, vendet tona kanë bashkëpunuar për ta mbajtur Aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë thekson bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit të OKB përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në mesazhin e Biden që thekson se pret thellimin e partneritetit duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike.

Në mesazhin e Presidentit Biden, ndër të tjera, theksohet:

“Ky vit shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona – një partneritet që ka çuar përpara prosperitetin dypalësh, ka ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe ka forcuar sigurinë globale. Si aleatë të NATO-s, vendet tona kanë bashkëpunuar gjithashtu për ta mbajtur Aleancën të fortë, të përgatitur dhe të vendosur. Dhe përballë luftës së padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi punuar së bashku në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të mbështetur popullin ukrainas, duke e konsideruar Rusinë përgjegjëse për agresionin. Shqipëria vazhdon të jetë një lider humanitar, duke siguruar strehimin e përkohshëm të afganëve dhe grupeve të tjera vulnerabël”.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërsa fillojmë shekullin e ardhshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe, pres me padurim të thellojmë partneritetin tonë edhe më tej, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e sigurisë energjetike në të gjithë Evropën dhe forcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike”, shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.

Burimi: Gazeta Dita