Raportuesja për Kosovën në PE: Gjermania duhet të dërgojë më shumë trupa ushtarake në Veri

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola von Cramon, ka kërkuar nga Gjermania të vendosë më shumë trupa ushtarakë në Veri të vendit.

Përmes një postimi në platformën “X”, von Cramon ka theksuar se Gjermania duhet të dërgojë trupa shtesë në Kosovë.

“Gjermania duhet të vendosë më shumë trupa për të siguruar paqen dhe për të mbrojtur të gjithë në Kosovë, ku KFOR-i i udhëhequr nga NATO-ja mbetet jetik”, ka shkruar raportuesja e PE-së.

Ndërsa vendimin e Britanisë për të vendosur 200 trupa në Kosovë e cilësoi si të rëndësishëm, shkruan Telegrafi.

“Vendim i rëndësishëm është ai i Britanisë së Madhe për të vendosur 200 trupa ushtarakë për të përforcuar NATO-n dhe KFOR-in në terren”, ka shkruar eurodeputetja.

NATO-ja njoftoi të premten se ka miratuar forca shtesë për t’i dislokuar në veri të Kosovës zonë e banuar me shumicë serbe për shkak të rritjes së tensioneve.
Burimi: Ora News