Lidhje


Ligji që tenton të “frakturojë” themelet e familjes tradicionale

Ministria e Shëndetësisë disa ditë më parë ka nxjerrë në konsultim publik projektligjin “ Për shëndetin seksual dhe riprodhues”,  i cili ka për qëllim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese në vend. Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara, Ministria e Shëndetësisë synon të rregullojë më ligj shtatzëninë surrogate, riprodhimin in Vitro, abortin etj. 

 

Nëse drafti i propozuar do të miratohet atëherë përveç ndryshimeve të tjera ai i hap rrugën çdo gruaje e cila e ka të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetet shtatzënë të ketë një fëmijë përmes një marrëveshjeje  me një grua tjetër,  e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër. Pra një proces që sot njihet si surogaci , ose “nënë me qera”. Por po ashtu prej pikave të hedhura për diskutim në draft ishte edhe neni 12. I cili praktikisht shprehet kështu:

 

“Aborti Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog; Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë;  Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç. Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje”

 

Po ashtu Ministria e Shëndetësisë kërkon që nëpërmjet ligjit të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes. Pra “Qelizat riprodhuese, embrioni dhe indi vezorial që teprojnë nga aplikimi i teknikave të fertilizimit in vitro dhe që nuk i transferohen gruas në një cikël të RMA, mund të ruhen në bankat e autorizuara....Individi ka të drejtë të kërkojë nga institucioni që ruan qelizat riprodhuese të tij, ti  asgjesoje pas një kërkese me shkrim. Cifti ka të drejtë të kërkojë nga institucioni që ruan embrionin ta asgjesojë atë pas një kërkese me shkrim nga të dy partnerët, thuhet në nenin 23 të pr/ligjit”. Përdorues të këtyre teknikave do të jenë çiftet heterologe të martuara, ose që bashkëjetojnë si dhe gruaja e pa partner. Embrionet dhe vezët e pafekonduara mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet nëse nuk dhurohen, duhet të asgjësohen.

 

Këto janë disa nga pikat e këtij projektligji të cilat këto ditë janë kontestuar nga mbarë opinioni publik shqiptar, qofshin religjozë apo agnostik, ajo që u perceptua nga opinioni publik ishte rrefuzimi në masë i këtij projektligji. Po ashtu këto ditë ka pasur një reagim të fuqishëm edhe nga ana e disa figurave religjoze në  vend të cilët e dënuan ashpër këtë proozim. Por përse feja nuk i pranon këto procedura? Përse ato janë të ndaluara në religjonet zyrtare të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri? Le të shohim se çthotë feja islame për këto procedura bashkohore:

 

 

1-Nëna surrogato

 

Surrogate fjalë për fjalë do të thotë "zëvendësues". Në këtë rast, një grua lind një fëmijë për një grua tjetër. Koncepti i zëvendësimit është një nënprodukt i teknikave të inseminimit artificial (AI) dhe fekondimit in-vitro (IVF). Në një marrëveshje surrogate, një grua mban një fetus në barkun e saj gjatë gjithë shtatzënisë dhe, pas lindjes së të porsalindurit, i dorëzohet një familjeje tjetër që nuk është në gjendje të ketë një fëmijë vetë. Çiftet e martuara i drejtohen një surrogate kur gruaja nuk është në gjendje fizikisht të krijojë një fëmijë për shkak të mungesës së mitrës ose sëmundjes ose kur gruaja thjesht nuk dëshiron të lindë një fëmijë. Ndonjëherë, çiftet e pamartuara kërkojnë një nënë surrogate edhe pse praktika nuk është shumë e zakonshme. Në mënyrë të ngjashme, kjo praktikë është e hapur për një burrë beqar që dëshiron të bëhet baba ose për një çift homoseksual që dëshiron të ketë një fëmijë.

 

Kur një grua është e paaftë të prodhojë vezë si rezultat i sëmundjes ose plakjes normale, zëvendësuesi mund të sigurojë vezën që më pas fekondohet nga burri i gruas dhe më pas implantohet në mitrën e zëvendësuesit për të çuar fetusin deri në fund. Më pas, zëvendësuesi lind dhe ia dorëzon fëmijën çiftit (surrogacia gjenetike).

 

Në marrjen e një vendimi ligjor, dijetarët muslimanë marrin parasysh Mekasidu esh-Sheri‘ah ose intencat e sheriatit. Mekasidu esh-Sheri‘ah janë hifdh ed-Dīn (Mbrojtja e fesë), hifdh en-nefs (Mbrojtja e jetës), hifdh en-nesl (Mbrojtja e pasardhësve), hifdh el akl (Mbrojtja e mendjes) dhe hifdh el mal (Mbrojtja e Pasurisë). Në islam çdo i porsalindur duhet të njohë dhe të jetë i lidhur me nënën dhe babanë e tij/saj. Bioetika islame nuk mund ta pranojë këtë praktikë sepse zëvendësimi është një formë e qartë e përdorimit të spermës së dhuruesit, një element i huaj, në barkun e një gruaje që rezulton në përzierjen e prejardhjes. Allahu thotë në Kuran:Dhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar, e kush kërkon përtej tyre (dëfrim nga të ndaluarat), të tillët janë ata që kanë shkelë normat e caktuara” Muminun 5-7. Po ashtu Ai thotë: ....nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata” Muxhadele 2

 

Këtu citojmë G I Serour, profesor i obstetrikës dhe gjinekologjisë dhe drejtor i Qendrës Ndërkombëtare Islamike për Studime dhe Kërkime të Popullsisë, Universiteti Al-Azhar, Kajro, Egjipt, “Koncepti themelor i Islamit është shmangia e përzierjes së gjeneve, pasi Islami urdhëron pastërtinë. të gjeneve dhe trashëgimisë. Ai mendon se çdo fëmijë duhet të lidhet me një baba dhe nënë të njohur. Meqenëse martesa është një kontratë midis gruas dhe burrit gjatë periudhës së martesës së tyre, asnjë palë e tretë nuk ndërhyn në funksionet martesore të seksit dhe të lindjes. Një palë e tretë nuk është e pranueshme, qoftë duke siguruar një vezë, një spermë ose një mitër. Prandaj, dhurimi i spermës, dhurimi i vezëve dhe zëvendësimi nuk lejohen në Islam.” 1

 

 

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, duke mbajtur seancën e tij të tretë, në Aman, Mbretëria Hashemite e Jordanisë, nga 8 deri më 13 Sefer 1407H (11–16 tetor 1986), deklaroi se surrogacia (fertilizimi që ndodh in vitro midis spermës dhe marrjes së vezëve nga bashkëshortët, dhe më pas futja e vezës së fekonduar në barkun e një gruaje vullnetare) është islamisht e ndaluar për shkak të pasojave të përzierjes së linjës së gjakut dhe humbjes së amësisë” 2.

 

Qasja e etikës islame është shumë e ndryshme nga ajo perëndimore. Islami e ndalon surrogacinë (apo mitrën me qera), sepse ajo ndërhyn në linjën e gjakut (trashgimisë gjenetike). Citojmë  këtu Muhammed Hashim Kemalin,i cili thotë se: “Ligjet e Sheriatit janë në pjesën më të madhe të dallueshme në lidhje me objektivat e tyre (mekasid) dhe mjetet që i realizojnë ose i pengojnë ato objektiva. Nëse mjeti shkel një qëllim themelor të Sheriatit, atëherë ai duhet të bllokohet. Mjetet përgjithësisht shihen në dritën e qëllimeve që priten të arrijnë dhe logjikisht janë këto të fundit ato që mbizotërojnë mbi të parën, pra janë mjetet që ndjekin qëllimet, jo anasjelltas.” 3

 

Surrogacia e paguar ndonjëherë bëhet një mjet shfrytëzimi. Ndonjëherë, gratë e varfra japin me qira barkun e tyre për të mbajtur fetusin për disa para ose ndoshta për qëllime të tjera jo etike ose penalisht të dënueshme.

 

Allahu thotë në Kuran : “Le të shikojë njeriu se prej çkahit është krijuar? Ai është krijuar prej një uji që hidhet fuqishëm, E që del nga kurrizi i shpinës dhe dërrasa e gjoksit” Tarik 5-7. Pr qartë ky proces ka të bëjë me spermatozoidët e mashkullit të cilët rrjedhin në mitrën e nënës duke u nashkuar me vezët dhe bark e më pas duke i dhënë jetë fetusit i cili  ushqehet në barkun e nënës nga gjaku i saj, kështu që bëhet djali i saj me gjak dhe lëndë ushqyese.

 

Përfundimisht konkludojmë se sipas Asamblesë së Akademisë së Fikhut Islam e mbledhur në sesionin e saj të tretë në Aman, kryeqytetin e Mbretërisë Jordaneze Hashimite në datat 8-13 Sefer 1407 h. /11-16 Tetor 1986 e.s. pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura rreth fekondimit artificial (in vitro) dhe dëgjoi shpjegimin e mjekëve specialistë, iu bë e qartë se:Dy forma të fekondimit artificial janë të lejuara, nëse paraqitet nevoja për to, por me kushtin e domosdoshëm që të merren të gjitha masat e duhura për të ruajtur procesin, këto forma janë:

 

Forma 1: merret fara e burrit dhe veza e gruas së tij dhe kryhet fekondimi i jashtëm, më pas ajo vendoset në mitrën e gruas.

Forma 2: merret fara e burrit dhe vendoset në një vend të përshtatshëm brenda organit gjenital të gruas së tij ose në mitrën e saj duke kryer kështu një fekondim të brendshëm.

 

 

2-Aborti për të miturat nën moshën 16 vjeç

 

Ngjashëm me të gjithë librat e feve të tjera, Kurani e shenjtëron pa mëdyshje jetën njerëzore. Vrasja e çdo personi të pafajshëm, pavarësisht nga mosha apo orientimi fetar, dënohet në gjuhën më të ashpër:...mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend.” Enam 151.Për më tepër, Profeti Muhamed a.s e anuloi praktikën e vrasjes së foshnjave femra që ishte tepër e përhapur në kohën e tij, duke i recituar popullit të tij ajete të tilla si: Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla, Për çfarë mëkati ato janë mbytur” Tekvir 8-9

 

E pyetur rreth çështjes së abortit komisioni i përhershëm i dijetarëve në Arabinë Saudite është përgjigjur siç vijojn:

 

 

“Parimi themelor në lidhje me shtatzëninë e një gruaje është se nuk lejohet ndërprerja e saj në asnjë fazë, përveç nëse ekziston një arsyetim legjitim për këtë. Nëse shtatzënia është ende një nutfah (“pika e spermës”; embrioni menjëherë pas ngjizjes), e cila është dyzet ditë ose më pak, dhe ndërprerja e saj do t'i shërbejë një qëllimi legjitim ose do të shmangë dëmin që pritet t'i ndodhë nënës, atëherë lejohet ndërprerja e shtatzanisë në atë rast. Kjo nuk përfshin frikën nga vështirësitë në rritjen e fëmijëve ose pamundësinë për të përballuar shpenzimet ose arsimimin e tyre, ose të menduarit se një numër i caktuar i fëmijëve është i mjaftueshëm dhe arsyetime të tjera që janë të papranueshme sipas mësimeve islame. Por nëse shtatzënia i ka kaluar dyzet ditë, ndalohet ndërprerja e saj, sepse pas dyzet ditësh bëhet alakah (gjak i ngjizur), atëherë fillon t'i zhvillojë tiparet e njeriut, kështu që nuk lejohet ndërprerja e saj pasi të arrijë në këtë fazë.Vetëm  nëse një komitet mjekësor i besueshëm të përcakton se vazhdimi i shtatzënisë do të përbëjë rrezik për jetën e nënës dhe ekziston frika se ajo mund të vdesë nëse shtatzënia vazhdon”.

Fetaua el-Lexhneh ed-Daimeh, 21/450

 

 

Gjithsesi juristët islam ranë në mospajtim në lidhje me vendimin për abortin para dyzet ditësh. Një numër i Hanefive dhe Shafi'ive, dhe disa prej Hanbelive, janë të mendimit se kjo është e lejuar.Ndërsa ata nuk shfaqën hezitim kur diskutohet për ndërprerjen e shtatzanisë pas 120 ditëve, atëherë kur sipas islamit embrionit i fryhet shpirti dhe kosniderohet tërësisht njeri.Pra pasi të jetë fryrë shpirti në të, është e ndaluar sipas konsensusit të dijetarëve islam, përveç kur ekziston një arsyetim legjitim për ta bërë këtë, brenda udhëzimeve shumë strikte të ekspertëve të fushës.

 

Ibn el-Humam ka thënë në Fethul-Kadir (3/401):

 

“A lejohet ndërprerja e shtatzënisë? Është e lejuar përderisa nuk ka zhvilluar tipare njerëzore. Pastaj ata thanë: Por kjo nuk ndodh vetëm pas njëqind e njëzet ditësh. Kjo do të thotë se ajo që ata nënkuptuan me zhvillimin e tipareve njerëzore është kur i fryhet shpirti (pra pas ditës së 120), përndryshe është e gabuar, sepse zhvillimi i tipareve njerëzore mund të shihet edhe përpara kësaj periudhe.”

 

 

Këto faza Zoti i përshkruan me saktësi në Kuran : “Për All-llahun, Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte.  Pastaj atë (ajkë - baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!” Muminun 12-14. Pjesëza e përmendur këtu thumme (e më pas-pastaj), i referohet vazhdimësisë dhe vonesës, ajo përdoret në vargjet e mësipërme për të ndarë midis fazave të embriogjenezës dhe "zhvillimit në një krijim tjetër". Kjo është ajo që është transmetuar nga 'Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) dhe besohet gjerësisht se është një referencë për fazën kur shpirti futet në trup. 4

 

Gjithsesi themi se në sistemin etik islam, jeta është e shenjtë, prandaj duhet nderuar dhe promovuar.Pasi fetusi arrin 40 ditë nga ngjizja, aborti bëhet i palejueshëm sipas shumicës së studiuesve, përveç nëse ekziston një nevojë urgjente që e justifikon atë në sytë e ligjit islam. Pasi fetusi arrin 120 ditë, të gjithë studiuesit pajtohen se ndërprerja e shtatzënisë së një fetusi të gjallë do të lejohej vetëm për të shpëtuar jetën e nënës. Përndryshe, është feticid i paligjshëm: vrasja e një qenieje njerëzore të palindur që mban shpirt.

 

Por një nga objektivat e ligjit islam është ruajtja e pasardhësisë e kjo paraprakisht realizohet duke ruajtur moralin dhe duke iu larguar imoralitetit. Allahu thotë në Kuran: “ Thuaj: "Ejani t'ju lexoj atë që me të vërtetë ju ndaloi Zoti juaj: të mos i shoqëroni Atij asnjë send, të silleni mirë me prindërit, të mos i mbytni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne u ushqejmë juve dhe ata, të mos u afroheni imoralitetit qoftë atij që është i dukshëm apo i fshehtë, mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend. Këto janë porositë e Tij, kështu që të mendoni thellë" Enam 151. Në Islam, qeniet njerëzore janë zëvendës-regjentët e Zotit në tokë ndaj respekti për jetën shtrihet në detyrën e ruajtjes së jetës së mundshme në barkun e nënës, në mënyrë që ruajtja e jetës së fetusit të ketë vlerë etike, e kjo nuk mundet të vlerësohet siç duhet në një shoqëri në të cilën imoraliteti është shndërruar në “vlerë” apo trend. Ndaj duke konsideruar edhe thelbin e ligjit islam të bazuar në premisën “Parandalimi është më i mirë sesa kurimi”, në këtë rast këto ligje janë thjesht një “zgjidhje” e sforcuar e cila nuk e zgjidh aspak problemin e madh të shoqërisë moderne, imoraliteti galopant i cili është sfida kryesore tek e cila duhet të fokusohet shoqëria, pasi nëse kemi minimizuar këtë përmasë dhe sëmundje sociale kemi minimizuar vet diskursin e ligjeve pro abort.

 

Një nga problematikat e këtij neni është edhe fakti se kështu minimizohet tërësisht figura prindërore duke i privuar adoleshentët nga ideja e përgjegjësisë dhe duke i nxitur ë kryejnë disa shkelje së bashku, e para imoraliteti dhe e dyta kundërshtimi i tutorit ligjor dhe moral, prindit. Për këtë Muhamedi a.s tha në hutben e lamtumirës: “Ruajuni nga prostitucioni, tradhëtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhëtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë...Fëmija i takon atij, në shtratin e të cilit është lindur. Kush pohon se i takon tjetërkujt përveç prindit, atë do ta zë mallkimi i Zotit” Es-siretu en-nebevijeh e ibn Hishamit fq 605. Ndaj obligimi parësor për fëmijën është ai moral para se të jetë ligjor, moral ndaj prindit që e ka rritur dhe Zotit që e ka krijuar. Ndaj ky nen i hap rrugë fshehjes së një shtatzanie dhe më keq akoma imoralitetit. Për këtë ky nen bie tërësisht në kundërshtim me ligjin islam.

 

 

3-Pika tjetër e diskutuar është edhe aplikimi i teknikave të fertilizimit in vitro. Përdorues të këtyre teknikave do të jenë çiftet heterologe të martuara, ose që bashkëjetojnë si dhe gruaja e pa partner.Embrionet dhe vezët e pafekonduara mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet nëse nuk dhurohen, duhet të asgjësohen.

 

Një prej principeve të rëndësishme në dorë të juristëve islam është edhe Maslahah Mursaleh- Interes publik i pakufizuar. Në përcaktimin e "interesit publik", juristët duhet të peshojnë përfitimin që mund të ndodhë brenda një çifti jopjellor duke pasur një fëmijë në mënyrë të tillë, kundrejt dëmit që mund t'i shkaktojë pasja e fëmijës që rezulton nga aplikimi i këtyre teknikave apo dhe çdo dëm për shoqërinë në tërësi. Në atë rast aty ku dëmi mbizotëron dobinë , ajo procedurë bëhet e palejueshme.

 

Në Islam, familja bazohet në martesë. Martesa kontrollohet nga rregulla. Kontrata martesore ka pasoja juridike e cila përfshin të drejta dhe përgjegjësi të ndërsjella të burrit dhe gruas përballë njëri-tjetrit dhe përballë pasardhësve të tyre.Është nën këtë ombrellë mbrojtëse që do të lindin fëmijët. Pra, është thelbësore, nga pikëpamja islame, që çdo fëmijë të dijë identitetin e babait dhe nënës së tij. Ky është një shqetësim që është i ngjashëm me rëndësinë që ligjet moderne i japin babait dhe nënës biologjike në gjuhën bashkëkohore. Ligjet e rrepta morale dhe ndalimi i kurvërisë dhe tradhtisë bashkëshortore janë pjesë e kujdesit që tregon islami në ruajtjen e pasardhësve (prejardhjes). Allahu thotë në Kuran : “..sipas Librit të Allahut, besimtarët që kanë lidhje farefisnore(ulul erham -të lidhura për shkak të mitrës), janë më të afërt për njëri-tjetrin (në ndarjen e trashëgimisë). Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” 8:75

 

Ndërsa nga tradita profetike transmetohet se :Ebu Hurejrah, radijallahu anhu, ka transmetuar se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Allahu i ka krijuar të gjitha krijesat dhe kur ai ka mbaruar krijimin e tij, Er-Rahim (mitra) ka thënë: “(O Allah) në këtë vend unë kërkoj mbrojtje me Ty nga të gjithë ata të cilët më veçojnë mua (i shkëpusin lidhjet)”  Buhariu dhe Muslimi

 

Çfarë është Fertilizimi In Vitro ("IVF")?

 

IVF është një proces me anë të të cilit një grua, nëpërmjet manipulimit hormonal, prodhon njëkohësisht disa vezë. Këto vezë aspirohen me gjilpërë në kohën e duhur nën procedura të caktuara . Në laborator, spermatozoidet fekondojnë këto vezë. Vezët e fekonduara me sukses (zigotat) që arrijnë fazën e katër deri në tetë qelizore transferohen në mitër. Në këtë pikë, mitra është përgatitur paraprakisht nëpërmjet hormoneve në mënyrë që të fillojë implantimi i zigotyve të mbartura (preembrionale). Shkalla e suksesit, e matur nga fekondimet që rezultojnë në një lindje të vërtetë, është midis njëzet dhe tridhjetë për qind. IVF, me modifikimet e saj të ndryshme, siç janë:  GIFT (Gamete intra-fallopian transfer), ICSI (injeksion intracitoplazmatik i spermës) etj, është shpallur islamisht e lejuar, vetëm nëse plotësohen kushtet e mëposhtme.

 

Së pari, IVF duhet të aplikohet tek një çift i martuar ligjërisht.

Së dyti, sperma duhet të jetë e vet burrit, ndërsa vezët të gruas.

Së treti, kjo duhet të ndodhë brenda kontekstit të një martese të vlefshme në të gjitha dimensionet e mundëshme.

Së katërti, procedura duhet të kryhet nga një “ekip kompetent” në mënyrë që të zvogëlohen mundësitë e dështimit.

 

Më tej, ekziston nevoja për një trajtim të kujdesëshëm të procesit në mënyrë që të sigurohet se me të vërtetë gametet (materiali biologjik i fertilizuar) i  burrit dhe gruas janë ato që përdoren në të vërtetë në procedurë.

 

Së fundi, jo më shumë se numri i duhur i vezëve të fekonduara duhet të transferohen në mitër. Nëse përdoren më shumë se numri i duhur, rreziku i trenjakëve dhe shtatzënive të shumëfishta të rendit më të lartë rritet dhe si rrjedhojë, rreziqet e abortit dhe lindjes së parakohshme janë të mëdha. Është e zakonshme të transferohen vetëm dy deri në tre vezë të fekonduara, megjithëse zakonisht prodhohen më shumë vezë të fekonduara. Ngrirja e vezëve të mbetura të fekonduara lejohet përderisa ato përdoren vetëm në ciklet pasuese për të njëjtin çift, dhe çifti është ende i martuar.

 

 

Pra e përmbledhim edhe njëherë çështjen duke pohuar se: Në shkollat e mendimit suni, krioprezervimi lejohet vetëm kur embrionet ose gametet e ngrira përdoren nga çifti që janë burimi biologjik i indit dhe në kontekstin e një martese të vlefshme. Krioprezervimi aplikohet kryesisht për dy arsye:

 

  • kur ART-të (assisted reproductive technologies) çojnë në gjenerimin e gameteve ose embrioneve të tepërta dhe çiftet planifikojnë t'i përdorin ato për trajtimin e mëtejshëm të infertilitetit;
  • kur dikush preket nga trajtime të caktuara si radioterapia ose kimioterapia, të cilat mund të shkaktojnë infertilitet.

 

Kjo teknikë ndihmon në ruajtjen e gameteve dhe embrionit në fazën e hershme të zhvillimit për përdorim të mëtejshëm nga prindërit e synuar. Në rast se çiftet nuk përdorin embrionet dhe gametet e tyre të ngrira, lejohen t'i dhurojnë ato për kërkime biomjekësore, në përputhje me udhëzimet e duhura etike. Në traditën islame, fillimi i jetës mendohet të jetë 40-120 ditë pas momentit të fekondimit, kur shpirti takohet me trupin, i cili quhet “fryrje e shpirtit”. Prandaj, përdorimi dhe shkatërrimi i embrionit gjatë kërkimit shkencor nuk shihet si vrasje sepse embrioni në fazën më të hershme të zhvillimit nuk konsiderohet qenie njerëzore. Sipas fetvasë së lëshuar në takimin e 17-të të asamblesë së Jurisprudencës Islame tBotërore në Meke, Arabia Saudite:

 

“Lejohet të izolohen qelizat staminale, të rriten dhe të përdoren për kërkime shkencore dhe terapi, nëse burimi [i atyre qelizave] është legjitim, për shembull, teprica e vezëve të fekonduara të mbetura nga IVF [cikli], nëse dhurohen nga çiftet, kur sigurohemi se nuk do të përdoren në shtatzëni të paligjshme”. Mexhallat el-Mexhma’, 1/3/423

 

Ndërsa dijetarë të tjerë sikurse Shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin kanë qenë të kujdesëshëm rreth këtij fenomeni duke thënë se: Çështja nuk duhet marrë lehtë, sepse nëse ndodh ndonjë mashtrim, do të thotë se linjat e gjakut do të përzihen dhe do të ketë kaos, gjë që sheriati e ka ndaluar. Prandaj, pejgamberi a.s  ka thënë: "Nuk duhet të ketë marrëdhënie me një grua shtatzënë derisa ajo të lindë ". Unë nuk do të nxjerr fetva për këtë qëllim, përveç nëse më referohet një rast specifik dhe e njoh burrin, gruan dhe mjekun.” (Mexhmu’ Fetava esh-Shejh Ibn Uthejmin, 17/pyetja nr. 9)

 

Por të gjithë dijetarët bien dakort se këto teknika nuk vlejnë për gra apo burra të pmartuar apo ata që vetëm bashkjetojnë pasi kjo është në kundërshtim me një nga principet e islamit, ruajtja e nderit dhe e linjës së prejardhësisë.Pra që ky fekondim të bëhet me spermën e burrit duke ekzistuar me të vërtetë nevoja për këtë. Nuk lejohet përdorimi i spermës së askujt përveç burrit për këtë fekondim.Allahu thotë: All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja - fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e All-llahut i mohojnë? “ 16:72.

 

Pra konkludojmë duke thënë se edhe ky nen ka rrezikshmëri të lartë në humbjen e linjës së gjakut dhe shkëputjes apo prishjes së mardhënieve midis njerëzve aq më tepër kur humbet edhe atësinë e personit donator duke shkelur një të drejtë të lindur tek çdo individ, të pasurit e një babai apo të një nëne biologjike të njohur. Ndaj i kundërshtojmë këto nene duke ftuar të rregullohen ose të hiqen fare nga projektligji dhe mos të kalohen fare për miratim.

 

 

4-Një tjetër praktikë e ndaluar fetarisht, që është pjesë e këtij projekt-drafti, është edhe sterilizimi i cili është një metodë kontraceptive e përhershme.

 

Një nga objektivat e sheriatit në martesë është të vazhdojë jetën nëpërmjet procesit normal të lindjes dhe të vazhdojë racën njerëzore. Prandaj nuk lejohet të bëhet diçka që e pengon përgjithmonë lindjen e fëmijëve, përveç në rastet e domosdoshmërisë.

 

Po ashtu lejohet fetarisht përdorimi i mjeteve për parandalimin e shtatzënisë për një periudhë të kufizuar, që njihet si kontracepsion, me kusht që të mos ketë efekte të dëmshme.

 

Në një deklaratë të Këshillit të Fikhut Islam të mbajtur gjatë konferencës së tij të pestë në Kuvajt, 1-6 Xhumada el-Akhir 1409 hixhri/10-15 dhjetor 1988 hixhri, për sa i përket kontracepsionit (atij të përhershëm apo atij të përkohëshëm):

 

… Së dyti: është e ndaluar të eliminohet aftësia për të riprodhuar si te burrat ashtu edhe te gratë, e cila njihet si sterilizim, përveç nëse ekziston nevoja për ta bërë këtë, e cila duhet të shqyrtohet sipas standardeve të përcaktuara në mësimet islame.

 

Së treti: lejohet marrja e masave të përkohshme për kontrollin e riprodhimit me qëllim të ndaljes së shtatzënive ose parandalimit të shtatzënisë për një kohë të caktuar, nëse ekziston nevoja e vërtetë për ta bërë këtë, sipas vendimit të vet çiftit, duke u bazuar në konsultimin dhe marrëveshjen ndërmjet tyre, me kusht që kjo të mos rezultojë në ndonjë dëm, dhe që metoda e përdorur të jetë e pranueshme nga ana e fesë dhe mos të shkaktojë ndonjë dëm në rastin e ndonjë shtatzanie ekzistuese. (Nga Mexhalat el-Mexhma‘ botimi nr. 4, vëll, 1, f. 73).

 

Nëse mjekët e kualifikuar përcaktojnë se lindja do ta dëmtojë gruan ose do ta përkeqësojë sëmundjen e saj, ose nëse ekziston frika se shtatzënia ose lindja do të çojë në vdekjen e gruas, vetëm atëherë lejohet të ndërpritet/parandalohet shtatzënia, me pëlqimin e burrit. (Nga Fatava el-Mer'ah el-Muslimeh, 5/978).

 

Dijetari i njohur Shejh Bin Bazi u pyet se: Cili është gjykimi i histerektomisë për qëllime sterilizimi, pra parandalimi i shtatzënisë për arsye mjekësore në mënyrë permanente ?

 

Ai u përgjigj: Nëse është kjo është e domosdoshme, atëherë nuk ka gjë të keqe, përndryshe ajo është reptësisht e ndaluar, sepse Ligjvënësi inkurajon në shumfishimin e pasardhësisë. Por nëse ekziston rreziku i dëmit të mundshëm, atëherë nuk ka asgjë të keqe, ashtu siç lejohet përdorimi i përkohshëm i metodave kontraceptive për një arsye legjitime.  Nga Fetaua esh-Shejh Ibn Baz (9/434)

 

 

Veç kësaj, akte të tilla mund të shkaktojnë disa ndryshime në karakteristikat natyrore të secilit seks, kështu mundet të ketë ndryshime në zërin, ndjenjat, etj. Po ashtu ka gjasa të mëdha që ky sterilizim të reflektohet në sjelljen e personit.

 

Ky qëndrim mbështetet nga ndalimi që Pejgamberi a.s i bëri kastrimit. Buhariu transmeton, nga Ebu Hurejra se ai kërkoi lejen e Profetit që t'i nënshtrohej tredhjes, sepse ai nuk kishte mundësi të martohej. Kështu, ai donte të mbrohej nga kryerja e imoralitetit me njëprocedurë shumë ekstreme por profeti i tregoi “ilaçin” ndaj imoralitetit, duke e orientuar të duronte dhe të agjëronte por kurrsesi të vepronte pa nevojë atë procedurë invazive.

 

Gjithashtu, në një hadith të transmetuar nga Imam Ahmedi, Profeti a.s  i ndaloi luftëtarët, të cilët i linin gratë e tyre në shtëpi, të tredheshin. Pra të vepronin praktikat e sterilizimit.

 

Pra deklarojmë se sterilizimi sipas konsensusit të të gjithë dijetarëve islam është i ndaluar, nëpërmjet kësaj procedure gruaja ose burri i saj humbet aftësinë për të pasur fëmijë, kështu që sipas islamit kjo është një shkelje e rëndë dhe mosmirënjohje ndaj bekimit të jetës, bekim me të cilin Allahu ka favorizuar krijesat e Tij, ndaj sterilizimi është shkatërrim i një begatie të madhe që Allahu e ka bërë pjesë të procesit jetësor. Pra sipas islamit kjo procedurë bëhet vetëm duke u bazuar në ekspertizën e mjekëve kompetent për domosdoshmëri të qënësishme, duke u bazuar edhe në devizën islame : “Domosdoshmëritë i bëjnë të ligjshme ndalesat.” Ibn Nuxhejm, El-ashbah ue en-Nedhair 85. Në të kundërt çdo tentativë për të ndërprerë një begati të cilën vet Zoti e ka vendosur tek njeriu është një vepër e cila është e dënueshme qoftë nga aspekti fetar por edhe nga ai njerëzor, ndaj duhet të vazhdoj të mbetet e dënueshme qoftë edhe nga aspekti juridik penal. Allahu thotë në Kuran:  Ç'është me ju që All-llahut nuk i shprehni madhërinë që e meriton? Kur Ai ju krijoi në disa etapa” Nuh 14-15. Ndaj asnjë njeri nuk duhet ti humbasi këto etapa (begatia e riprodhimit njerëzor).

 

 

 https://sq.petitions.net/tema_kunder_prligjit_te_lejimit_te_abortit_e_nenes_sorrogato?utm_source=whatsapp 

 

Referenca:

 1-Serour GI. Zgjedhja riprodhuese: një perspektivë myslimane. Në: Harris J, Holm S, redaktorë. E ardhmja e riprodhimit njerëzor: etika, zgjedhja dhe rregullimi. Oxford dhe Nju Jork: Clarendon Press dhe Oxford University Press; 1998. http://bit.ly/ZJxwXr. [Google Scholar] 

2- El-Kevthari MA. Cili është qëndrimi islam për amësinë surrogate? Kibla [faqe e internetit në internet] [Qas 2018-Prill-8] http://bit.ly/15bACM1. [Lista e referencës]

 3-Kamali MH. Parimet e jurisprudencës islame. Selangor Darul ihsan: Botimet Pelanduk; 1989.

4-Shih: Tefsir Ibn Kethir; Sureja Mu'minun (23); Ajeti 14

XS
SM
MD
LG