Lidhje


Izraeli do të fillojë sulm tokësor në Rafah nëse nuk ka përparim në negociatat me Hamasin

Ushtria izraelite do të nisë sulm tokësor në Rafah ku janë strehuar 1.5 milion palestinezë të zhvendosur në jug të Rripit të Gazës nëse në "ditët e ardhshme" nuk shënohet përparim në negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit, transmeton Anadolu.

 

Në lajmet e publikuara në radion e ushtrisë izraelite janë bërë vlerësime lidhur me negociatat indirekte që vazhdojnë mes tel Avivit dhe Hamasit për shkëmbimin e pengjeve.

 

Në lajmin që bazohet në burime të paidentifikuara të sigurisë thuhet se ushtria izraelite do të nisë sulmin tokësor ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur nëse në "ditët e ardhshme" nuk shënohet përparim në negociatat për shkëmbimin e pengjeve.

 

Negociatat për shkëmbimin e pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit vazhdojnë në mënyrë indirekte. Në lajmet e paraqitura dje në mediat egjiptiane thuhej se delegacioni i Hamasit është larguar nga Kajro dhe se përgjigjen ndaj propozimit për marrëveshjen e armëpushimit do ta japë me shkrim.

 

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron dje në Rijad deklaroi se Hamasit i është propozuar 40 ditë armëpushim dhe lirimi i mijëra pengjeve palestineze në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite.

 

- Sulmi i mundshëm i Izraelit në Rafah

 

Qyteti Rafah i vendosur në jug të Gazës në kufirin me Egjiptin kishte rreth 280 mijë banorë para sulmeve izraelite. Për shkak të sulmeve të Izraelit më 7 tetor 2023, të paktën 1.9 milion njerëz janë zhvendosur në Rripin e Gazës, me një popullsi prej rreth 2.3 milionë.

 

Shumica e palestinezëve që u larguan nga sulmet izraelite, u strehuan në Rafah, për të cilin Izraeli ka pretenduar më parë se "ishte i sigurt". Bashkë me të zhvendosurit nga rajonet veriore, popullsia e qytetit Rafah është rritur më shumë se 4 herë, duke arritur në gati 1.5 milion.

 

Për shkak të mungesës së banesave të mjaftueshme, një pjesë e madhe e palestinezëve që janë strehuar në Rafah po luftojnë për mbijetesë në kampet e përbëra nga tenda të improvizuara. Ushtria izraelite shpeshherë shënjestron qytetin Rafah me sulme ajrore. Ka shqetësime se civilëve nuk do t'u mbetet më vend për t'u strehuar në Rripin e Gazës, nëse ushtria izraelite fillon sulm tokësor në Rafah.

 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka përsëritur shumë herë se ka miratuar planin për sulm në Rafah, në një deklaratë më 8 prill tha se është caktuar data për sulmin. Televizioni shtetëror izraelit KAN ka njoftuar se ushtria izraelite do të fillojë "shumë shpejt" sulmin tokësor në Rafah./AA

XS
SM
MD
LG