Erdogan: Politikat ekspansioniste të Izraelit përbëjnë kërcënimin kryesor për rajonin
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se politikat ekspansioniste të Izraelit përbëjnë kërcënimin kryesor të sigurisë për rajonin, raporton Anadolu.
“Agresioni izraelit ka treguar edhe një herë se problemi kryesor i sigurisë për rajonin tonë janë politikat ekspansioniste, të paligjshme dhe që sfidojnë normat e qeverisë aktuale”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët për media në Ankara me presidentin algjerian, Abdelmadjid Tebboune.
“Turqia dhe Algjeria ndajnë një qëndrim të përbashkët për t’i dhënë fund spirales së dhunës që kërcënon seriozisht paqen dhe sigurinë e rajonit tonë”, tha ai.
Tebboune gjithashtu dënoi veprimet izraelite në rajon.
“Ne dënojmë pushtimin izraelit, shkeljet e tij të ligjit ndërkombëtar humanitar, sulmet e tij flagrante ndaj Libanit dhe praktikat e tij barbare në Rripin e Gazës”, tha ai.
Më herët, Erdogan priti Tebbounen në Kompleksin Presidencial, ku të dy liderët bashkëkryesuan mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë.
Më pas, ata morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Erdogan tha se Ankaraja është e vendosur të forcojë bashkëpunimin me Algjerinë në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë, minierat, transportin dhe bujqësinë.
Ai shtoi se të dy vendet po vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin afatgjatë në sigurinë e furnizimit me energji, “veçanërisht me gaz natyror”.
Tebboune tha se Algjeria dhe Turqia synojnë gjithashtu të diversifikojnë lidhjet ekonomike dhe të ruajnë "trashëgiminë e tyre të përbashkët historike".