Zbulohet numri, ja sa ushtarë amerikanë janë gati për luftë në Iran
Shtetet e Bashkuara mbajnë më shumë se 50 mijë trupa në Lindjen e Mesme në kuadër të përballjes me Iranin, ndërsa administrata e presidentit Donald Trump po jep sinjale kontradiktore për të ardhmen e operacionit ushtarak, raporton New York Times.
Sipas raportimit, Trump urdhëroi dislokimin e forcave amerikane në kuadër të luftës kundër Iranit, duke përfshirë aeroplanmbajtëse, destrojerë, njësi ekspedicionare të marinsave dhe avionë luftarakë.
Operacioni amerikan, i quajtur “Epic Fury”, kishte si objektiv, sipas Trump-it, “shkatërrimin e raketave iraniane dhe industrisë së tyre të raketave”.
Megjithatë, statusi i operacionit mbetet i paqartë. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se operacioni kishte përfunduar, ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se fokusi ishte garantimi i kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Vetë Trump deklaroi më pas se edhe kjo përpjekje ishte pezulluar.
Të mërkurën, presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale se do t’i jepte fund luftës dhe do të garantonte kalim të sigurt për anijet në Ngushticën e Hormuzit nëse Irani “pranon atë që është rënë dakord”.
Sipas New York Times, marina amerikane vijon të zbatojë bllokadën ndaj porteve iraniane, e vendosur pasi Irani mbylli de facto Ngushticën e Hormuzit.
Një avion luftarak amerikan goditi të mërkurën një cisternë nafte me flamur iranian që po përpiqej të kalonte bllokadën.
Raportimi thekson se para nisjes së luftës në shkurt, në Lindjen e Mesme ndodheshin rreth 40 mijë trupa amerikane, ndërsa tani numri ka kaluar 50 mijë.
Mes forcave të dislokuara janë rreth 2 mijë parashutistë të divizionit elitar 82nd Airborne, të cilët sipas zyrtarëve amerikanë mund të përdoren për operacione në territor iranian, përfshirë marrjen e ishullit Kharg, qendër kyçe për eksportet iraniane të naftës.
Në rajon ndodhen edhe 2 mijë e 500 marinsa dhe 2 mijë e 500 marinarë të njësisë ekspedicionare të 31-të të marinsave, të cilët mund të përdoren për marrjen e ishujve apo territoreve strategjike.
Po ashtu, qindra trupa të forcave speciale amerikane janë dërguar në Lindjen e Mesme që prej marsit, me mundësinë e përdorimit të tyre në operacione kundër objekteve bërthamore iraniane.
New York Times raportoi gjithashtu se aeroplanmbajtëset USS Abraham Lincoln dhe USS George H.W. Bush, së bashku me flotat shoqëruese dhe mbi 10 mijë marinsa e marinarë, ndodhen në Detin Arabik.
Nga aty, Shtetet e Bashkuara kanë kapacitet të godasin Iranin me raketa dhe avionë luftarakë të nisur nga aeroplanmbajtëset.