Lidhje


Rasmussen shpall alarmin: “NATO po shpërbëhet”, Evropa duhet të krijojë aleancën e saj ushtarake kundër Rusisë

 

Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka bërë thirrje për krijimin e një aleance të re mbrojtëse evropiane, duke paralajmëruar se NATO, në formën aktuale, nuk mjafton më për sigurinë e kontinentit. Sipas tij, dyshimet e ngritura nga Donald Trump mbi angazhimin amerikan ndaj Nenit 5 kanë krijuar një realitet të ri: Evropa duhet të jetë në gjendje të mbrohet vetë.

 

Rasmussen propozon një “koalicion të vullnetshëm” me vende evropiane që përmbushin kritere të forta ushtarake, përfshirë shpenzime mbrojtjeje deri në 5% të PBB-së, garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 dhe pamundësi që një shtet i vetëm të bllokojë operacione ushtarake. Ai kërkon gjithashtu rritje të prodhimit të armëve dhe municioneve, plane të reja mbrojtëse dhe aftësi të reja ushtarake.

 

Megjithatë, ai thekson se NATO duhet të mbetet gurthemeli i sigurisë, sidomos për shkak të ombrellës bërthamore amerikane. Por mbrojtjen konvencionale, sipas Rasmussen, evropianët duhet ta marrin vetë në dorë. Ai kërkon që Ukraina të përfshihet si anëtare e plotë në këtë arkitekturë të re, duke e cilësuar si “mburojë kundër Rusisë”.

 

Rasmussen pranon se ky ndryshim është i dhimbshëm për të, pasi për dekada ka qenë mbështetës i fortë i lidhjes transatlantike dhe rolit udhëheqës të SHBA-së. Por ai thotë se modeli i vjetër ka marrë fund: Evropa nuk mund të mbështetet më te energjia e lirë nga Rusia, mallrat e lira nga Kina dhe siguria e lirë nga Amerika.

XS
SM
MD
LG