Laburistët pësojnë humbje të rëndë në zgjedhjet lokale, Reform UK dhe Të Gjelbrit dalin fitues
Partia Laburiste e kryeministrit britanik Keir Starmer ka pësuar një humbje të konsiderueshme në zgjedhjet lokale në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa fituesit kryesorë rezultojnë partia populiste e djathtë Reform UK e Nigel Farage dhe Partia e Gjelbër.
Sipas rezultateve të para, Reform UK ka siguruar qindra vende në këshillat lokalë, ndërsa laburistët kanë humbur një numër të ngjashëm mandatesh, duke shkaktuar tronditje brenda kampit qeverisës.
Nigel Farage e cilësoi rezultatin si “një kthesë historike në politikën britanike”.
“Po tregojmë qartë se mund të fitojmë në zona që Partia Laburiste i ka dominuar që nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Më e mira ende nuk ka ardhur”, deklaroi ai.
Reform UK po regjistron fitore të ndjeshme në veri të Anglisë, tradicionalisht bastion laburist, ndërsa Partia Konservatore po humbet terren edhe në jug të vendit, përfshirë zona si Essex. Analistët e cilësojnë këtë rezultat si një sinjal të dobësimit të sistemit tradicional dypartiak në Britani.
Ndërkohë, Partia e Gjelbër po rrit mbështetjen në qytete universitare si Oxford dhe Exeter, ndërsa Liberal-Demokratët kanë performancë të mirë në zonat më të pasura të jugut.
Brenda Partisë Laburiste ka nisur menjëherë presioni ndaj liderit Keir Starmer, me disa zëra që kërkojnë dorëheqjen e tij. Sipas raportimeve të “The Times”, ministri i Energjisë Ed Miliband i kishte kërkuar Starmerit të përgatiste një plan tranzicioni për largimin e tij të mundshëm nga drejtimi i qeverisë.
Megjithatë, Starmer ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet.
“Është një rezultat që dhemb”, tha ai, duke marrë përgjegjësinë për humbjen pa fajësuar të tjerët.
“Kjo humbje nuk e dobëson vendosmërinë time për të realizuar ndryshimin që kemi premtuar”, shtoi kryeministri britanik.