Erdogan për Ditën e Europës: Pa Turqinë, BE mbetet e paplotë!
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se një arkitekturë evropiane që nuk e përfshin Turqinë në vendin që i takon “do të mbetet e paplotë dhe e cenueshme në menaxhimin e krizave”.
Në një mesazh me rastin e Ditës së Evropës, Erdogan tha se Deklarata e Schumanit, e cila hodhi themelet e integrimit evropian, është njëkohësisht simbol i Bashkimit Evropian dhe pasqyrim i “angazhimit për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët të bazuar në paqe, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë në kontinentin tonë”.
Ai theksoi se parimet themeluese të BE-së, të vendosura 76 vjet më parë, po testohen tani nga kriza të shumta globale, përfshirë luftërat, paqëndrueshmërinë politike dhe sfidat ekonomike.
Erdogan tha më tej se luftërat, krizat politike dhe sfidat ekonomike me pasoja globale e kanë bërë të domosdoshme që BE-ja të ndjekë politika më gjithëpërfshirëse dhe bashkuese, duke shtuar se Turqia mbetet pjesë “thelbësore dhe e pazëvendësueshme” e këtij procesi si vend kandidat.
Ai gjithashtu theksoi se Turqia është e përkushtuar për avancimin e marrëdhënieve me BE-në mbi bazën “fitim-fitim”, të mbështetur në detyrime të ndërsjella dhe perspektivën e anëtarësimit të plotë, duke shtuar se Ankaraja pret të njëjtin vullnet të sinqertë nga blloku evropian.
“Siç kemi deklaruar më parë, nevoja e Bashkimit Evropian për Turqinë e tejkalon nevojën e Turqisë për bllokun, dhe kjo nevojë pritet të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, tha ai.
Erdogan shprehu shpresën që Dita e Evropës të sjellë paqe, prosperitet dhe solidaritet në gjithë rajonin, duke u uruar më të mirat popujve evropianë dhe qytetarëve turq.