Skandal në Korçë/ Pacientja 21-vjeçare denoncon kirurgun: “Më preku në pjesë intime gjatë kontrollit”
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Spitalin e Korçës, ku kirurgu Nikolla Nunka, 72 vjeç, është arrestuar nga policia pas kallëzimit të bërë nga një paciente 21-vjeçare, e cila e akuzon për ngacmim seksual gjatë një kontrolli mjekësor.
Sipas raportimeve paraprake, e reja ishte paraqitur në urgjencën e spitalit për shkak të dhimbjeve të barkut dhe të vjellave. Pas ekzaminimeve të para, mjekët kishin vendosur që ajo t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e apandesit.
Por në dëshminë e dhënë pranë policisë, 21-vjeçarja ka pretenduar se gjatë kontrollit mjekësor kirurgu e ka prekur në pjesë intime, duke e paraqitur veprimin si pjesë të ekzaminimit. Pas kallëzimit, uniformat blu kanë bërë fillimisht shoqërimin e mjekut dhe më pas arrestimin e tij.
Pacientja vijon të jetë e shtruar në Spitalin e Korçës, ndërsa policia dhe organet hetimore po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Mjeku pritet të përballet me procedurat ligjore për caktimin e masës së sigurisë.
Rasti ka marrë edhe më shumë vëmendje për shkak të së kaluarës së raportuar të kirurgut Nikolla Nunka. Nga raportimet e mëparshme në media rezulton se ai nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2013, Nunka ishte arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Kirurgu”, bashkë me mjekun reanimator Ismail Uzuni, nën dyshimet për korrupsion në shëndetësi.
Sipas raportimeve të kohës, dy mjekët dyshoheshin se u merrnin para pacientëve për shërbime mjekësore. Në rastin e Nunkës, mediat raportuan se ai akuzohej se pas ndërhyrjeve kirurgjikale u kërkonte pacientëve shumën prej 20 mijë lekësh. Më pas, në vitin 2014, u raportua se Gjykata e Korçës e kishte dënuar atë dhe mjekun tjetër me nga 2 vjet e 6 muaj burg për korrupsion, si dhe me heqjen e përkohshme të së drejtës për ushtrimin e profesionit.
Ngjarja e fundit në Spitalin e Korçës ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e pacientëve dhe kontrollin institucional ndaj sjelljes së personelit mjekësor brenda ambienteve spitalore. Deri në përfundimin e hetimeve, akuzat ndaj mjekut mbeten pretendime të kallëzueses, ndërsa do të jenë organet e drejtësisë ato që do të përcaktojnë përgjegjësinë ligjore të tij.