Alarm për grusht shteti në Moskë? Putini blindon sigurinë, dyshimet çojnë te klani i Shoigut
Edhe pse është e dyshimtë që dikush nga rrethi i Putinit po përgatit vërtet një komplot, fakt është se Putini i ka rritur në mënyrë drastike masat e tij të sigurisë. Çfarë po ndodh në Rusi?
Në shërbimet sekrete evropiane po qarkullojnë informacione se është e mundur që qarqe të caktuara të elitës ruse po përgatisin një komplot kundër Vladimir Putinit. Veçanërisht interesant është roli i ish-ministrit të mbrojtjes të Putinit, Sergei Shoigu, ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të të cilit futen sistematikisht në burg nga regjimi i Putinit.
Pavarësisht këtyre spekulimeve, Kremlini ka rritur në mënyrë drastike masat e sigurisë rreth Presidentit Vladimir Putin për shkak të mundësisë së vrasjes dhe një grushti shteti. Ky informacion nga një shërbim sekret evropian u raportua nga portali hetimor rus Important Stories, si dhe nga CNN dhe Financial Times.
Por analistët kanë mendime të ndryshme rreth këtij informacioni: disa besojnë se një skenar i tillë është gjithmonë i mundur në Rusi, ku ka shembuj të panumërt komplotesh kundër sundimtarëve nga historia e atij vendi. Po ashtu edhe Shërbimi sekret i Ukrainës kryen operacione të suksesshme brenda dhe jashtë Rusisë. Të tjerë paralajmërojnë se përgatitjet për komplotin nuk po raportohen nga media: kjo mund të jetë lehtësisht loja e dyfishtë e Putinit dhe arsyeja për një tjetër spastrim brenda elitës ruse. Edhe për këtë ka shembuj të panumërt në historinë e Rusisë.
Por ajo për të cilën të gjithë bien dakord është se: Putini është i shqetësuar për sigurinë e tij. Tensionet brenda elitës po rriten gjithashtu, pjesërisht për shkak të problemeve ekonomike dhe presionit nga shërbimet e sigurisë mbi teknokratët.
Cili është roli i Shoigut?
Raporti i shërbimeve sekrete përmend konkretisht ish-ministrin rus të Situatave të Jashtëzakonshme dhe Mbrojtjes, dhe Sekretarin aktual të Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, si një “faktor potencial destabilizues”.
Ndikimi i tij është padyshim në rënie, por ai ende mund të paraqesë një rrezik potencial për regjimin e Putinit, sipas Roman Anin të Important Stories, një media investigative ruse e pavarur me seli në Riga. Ai vëren “tensione në rritje midis shërbimeve të sigurisë” në Rusi, dhe “përplasjet e klaneve” janë gjithashtu të dukshme. Sundimtari në Rusi tradicionalisht ndjek një politikë “përça dhe sundo”, por roli i Putinit si ndërmjetës është aktualisht dukshëm më i dobët.
“Për vite me radhë, Shoigu ishte udhëheqësi i një klani jashtëzakonisht të fuqishëm. Si Ministër i Mbrojtjes dhe kreu i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme, ai arriti të mbledhë një numër të madh njerëzish nën komandën e tij dhe t’i përfshijë ata në një rrjet korrupsioni. Në thelb është diçka si një omerta mafioze”, shpjegon Anin për DW.