Lidhje


Irani mbyll derën e negociatave: “Uraniumi nuk preket, programi bërthamor nuk diskutohet!”

 

Parlamenti i Iranit ka deklaruar se programi bërthamor i vendit dhe pasurimi i uraniumit nuk do të jenë pjesë e negociatave ndërkombëtare.

 

Deklarata u bë nga zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në parlamentin iranian, Ebrahim Rezaei, i cili citoi kreun e Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami.

 

Sipas tij, “teknologjia bërthamore nuk është në axhendën e negociatave” dhe pasurimi i uraniumit “nuk është i negociueshëm”.

 

Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputetët iranianë theksuan nevojën për mbrojtjen e objekteve bërthamore dhe ruajtjen e arritjeve të Iranit në programin atomik.

 

Sipas mediave iraniane, disa anëtarë të komisionit e cilësuan të “padobishme” pjesëmarrjen e vendit në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

 

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe ndërsa vijojnë përplasjet diplomatike mes Iranit dhe vendeve perëndimore për programin bërthamor të Teheranit.

XS
SM
MD
LG