Tërmet në qeverinë britanike: 77 deputetë kërkojnë largimin e Starmer
Kryeministri britanik, Keir Starmer, po përballet me krizën më të thellë politike që prej marrjes së detyrës, ndërsa qeveria laburiste hyn sot në një mbledhje vendimtare mes tensioneve në rritje dhe thirrjeve të hapura për largimin e tij nga pushteti.
Situata në Londër është përshkallëzuar në mënyrë dramatike gjatë ditëve të fundit, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm stabilitetin e kabinetit, por edhe vetë të ardhmen politike të Starmer. Brenda Partisë Laburiste po diskutohen dy skenarë kryesorë: largimi ose shkarkimi i ministrave rebelë të kabinetit, ose dorëheqja e vetë kryeministrit.
Mes figurave që kanë dalë publikisht kundër tij është edhe ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, e cila i ka kërkuar Starmer të përcaktojë një afat të qartë për të lënë postin. Kriza u thellua më tej pas rebelimit të gjashtë ndihmësministrave, të cilët ose dhanë dorëheqjen, ose kërkuan publikisht largimin e kryeministrit.
Paralelisht, presioni brenda grupit parlamentar laburist është rritur ndjeshëm, me 77 deputetë që tashmë kanë kërkuar zyrtarisht largimin e Starmer.
Megjithatë, kryeministri britanik ka refuzuar të tërhiqet. Në një deklaratë të fundit, ai pranoi se qeveria kishte bërë gabime, por mbrojti linjën e tij politike, duke deklaruar se “vendimet e mëdha kanë qenë të drejta”.
Pozitat e Starmer u dobësuan ndjeshëm edhe pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet lokale në Angli, ku laburistët humbën rreth 1.500 këshilltarë vendorë.