Hantavirusi “zbarkon” në Evropë/ OBSH ngre alarmin: Priten më shumë raste pas vdekjeve në anijen turistike
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka bërë thirrje vendeve të përgatiten për raste të reja me hantavirus, pas përkeqësimit të gjendjes së një gruaje franceze 65-vjeçare, e infektuar në anijen turistike MV Hondius. Ajo ndodhet në terapi intensive në Paris, e intubuar, pasi është prekur nga varianti i Andeve, forma më e rëndë kardiopulmonare e virusit.
Anija, që lundronte nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër, u kthye në epiqendër të shpërthimit pasi tre pasagjerë, një çift holandez dhe një shtetas gjerman, humbën jetën. Deri tani, OBSH ka konfirmuar 11 raste, ndërsa një nga 14 spanjollët e karantinuar në Madrid ka rezultuar pozitiv, por është në gjendje të qëndrueshme.
Tedros paralajmëroi se mund të shfaqen më shumë infektime në javët e ardhshme, për shkak të kontakteve të shumta mes pasagjerëve dhe periudhës së gjatë të inkubacionit, që shkon nga gjashtë deri në tetë javë. OBSH rekomandon karantinë 42-ditore dhe monitorim të kontakteve me rrezik të lartë, ndërsa autoritetet franceze thonë se deri tani nuk ka prova për mutacion të virusit.