Abu Dhabi mohon takimin sekret me Netanyahun: S’ka marrëveshje të fshehta me Izraelin
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar deklaratën e zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sipas së cilës ai kishte zhvilluar një vizitë sekrete në vend dhe ishte takuar me presidentin Sheikh Mohammed bin Zayed gjatë luftës me Iranin.
Abu Dhabi deklaroi se marrëdhëniet me Izraelin janë publike dhe nuk bazohen në marrëveshje të fshehta apo kanale jozyrtare.
Zyra e Netanyahut pretendoi se takimi kishte sjellë një “përparim historik” në raportet mes dy vendeve, ndërsa burime të cituara në raportim thanë se takimi ishte mbajtur më 26 mars në Al-Ain dhe kishte zgjatur disa orë.
Sipas të njëjtave burime, shefi i Mossadit, Dedi Barnea, kishte vizituar disa herë Emiratet për koordinime gjatë luftës me Iranin.
Pavarësisht mohimit zyrtar, raportimi nxjerr në pah afrimin strategjik mes Emirateve, Izraelit dhe SHBA-së pas përshkallëzimit me Iranin.
Gjatë luftës, Izraeli raportohet se dërgoi bateri të “Kupolës së Hekurt” dhe personel në Emirate, ndërsa Abu Dhabi, një nga aleatët kryesorë të Uashingtonit në Gjirin Persik, po përpiqet të ruajë rolin e tij si qendër ekonomike dhe e sigurisë në rajon.