Flamuri palestinez ndez përplasjen Spanjë-Izrael: Sanchez mbron Yamal pas sulmeve nga Tel Avivi
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka dalë në mbrojtje të futbollistit të Barcelonës, Lamine Yamal, pas kritikave të forta nga Izraeli për ngritjen e një flamuri palestinez gjatë festimeve të titullit kampion.
Reagimi erdhi pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e akuzoi Yamal për “nxitje kundër Izraelit” dhe i kërkoi Barcelonës të distancohej nga veprimi, duke e lidhur atë me mbështetje për terrorizëm.
Sanchez iu përgjigj përmes platformës X, duke thënë se ata që e barazojnë ngritjen e një flamuri shteti me nxitjen e urrejtjes “kanë humbur gjykimin” ose janë verbuar nga qëndrimet e tyre. Sipas tij, Yamal thjesht shprehu solidaritet me Palestinën, një ndjenjë që e ndajnë miliona spanjollë.
Përplasja vjen në një moment tensionesh të rritura mes Spanjës dhe Izraelit, pasi Madridi ka kërkuar më herët rishikimin e marrëveshjes së asociimit mes BE-së dhe Izraelit. Yamal, vetëm 18 vjeç, konsiderohet ndër emrat kryesorë të Spanjës për Kupën e Botës.