Evropa përgatit “autostradën e luftës”: BE dhe NATO nisin projektin 100 miliardë euro për lëvizjen e trupave
Bashkimi Evropian dhe NATO po avancojnë me një projekt gjigant infrastrukturor prej 100 miliardë eurosh, që synon të krijojë një zonë të posaçme për lëvizjen e shpejtë të trupave dhe pajisjeve ushtarake në të gjithë Evropën.
Komisioneri Evropian për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi nga Athina se projekti parashikon ndërtimin dhe përforcimin e rreth 500 pikave strategjike në vende të ndryshme të kontinentit, për të lehtësuar mobilitetin ushtarak në stërvitje apo situata emergjente.
Sipas tij, kjo nismë do të shkurtojë ndjeshëm kohën e transportimit të trupave dhe pajisjeve nga një shtet në tjetrin. Rregullorja për projektin pritet të jetë gati deri në 2027, ndërsa infrastruktura synohet të përfundojë në fillim të vitit 2030.
Tzitzikostas njoftoi gjithashtu se BE-ja po punon për një rezervë të përbashkët pajisjesh ushtarake, të ngjashme me mekanizmin evropian të mbrojtjes civile. Ai foli edhe për turizmin veror, duke siguruar se pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme, nuk ka sinjale për mungesë karburanti për avionët në Evropë.