Lidhje


Modi zbarkon në Evropë: India kërkon aleanca të reja nga Holanda te Meloni

 

Kryeministri indian Narendra Modi ka nisur pjesën evropiane të turneut të tij zyrtar me një vizitë në Holandë, ku u prit në Pallatin Huis ten Bosch nga Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Máxima. Vizita në Hagë është pjesë e një udhëtimi gjashtëditor që nisi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe do të vijojë në Suedi, Norvegji dhe Itali.

 

Në Holandë, Modi zhvilloi takime me drejtues biznesi dhe pritet të takohet me kryeministrin holandez Rob Jetten. Në fokus të bisedimeve janë mbrojtja, siguria, inovacioni, energjia dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

 

Duke folur para komunitetit indian në Holandë, Modi theksoi rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Hagën, duke veçuar teknologjinë dhe inovacionin si fusha strategjike. Sipas Ministrisë së Jashtme të Indisë, tregtia dypalëshe Indi-Holandë arriti në 27.8 miliardë dollarë gjatë viteve 2024-2025.

 

Pas Holandës, Modi do të udhëtojë drejt Suedisë, ku do të takohet me kryeministrin Ulf Kristersson dhe do të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët Evropiane për Industrinë, së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

 

Më pas, kryeministri indian do të marrë pjesë në samitin Indi-Nordik në Oslo, ku do të takohet me liderët e Norvegjisë, Suedisë, Danimarkës, Finlandës dhe Islandës. Temat kryesore do të jenë teknologjia, energjia e rinovueshme, mbrojtja, hapësira dhe Arktiku.

 

Turneu evropian i Modit do të mbyllet më 20 maj në Itali, ku ai pritet të takohet me kryeministren Giorgia Meloni. Vizita shihet si përpjekje e Indisë për të forcuar lidhjet strategjike me Evropën në ekonomi, siguri, teknologji dhe energji.

XS
SM
MD
LG