Lidhje


SHBA i vendos 5 kushte Teheranit: vetëm një objekt bërthamor iranian mund të mbetet në punë

 

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur pesë kushte kryesore për arritjen e një marrëveshjeje me Teheranin, mes tyre edhe kërkesën që “vetëm një objekt bërthamor iranian të mbetet operacional”, raportoi të dielën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Fars.

 

Sipas raportimit, katër kushtet e tjera të Washingtonit përfshijnë refuzimin për të paguar kompensime apo dëmshpërblime, kërkesën për transferimin e 400 kilogramëve uranium iranian drejt Shteteve të Bashkuara, moslirimin as të 25% të aseteve të ngrira të Iranit, si dhe kushtëzimin e çdo ndaljeje të luftës në të gjitha frontet me rezultatin e negociatave.

 

Nga ana tjetër, kushtet kryesore të Iranit përfshijnë përfundimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira iraniane, kompensimin për dëmet e luftës dhe “njohjen e sovranitetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit”.

 

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që prej muajit shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

 

Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por bisedimet në Islamabad nuk sollën një marrëveshje të qëndrueshme. Më pas, presidenti amerikan Donald Trump e zgjati armëpushimin për një afat të pacaktuar.

XS
SM
MD
LG