Lidhje


Lufta me Iranin po zbraz depot e NATO-s: aleanca ngre alarmin për armë, municione dhe Ukrainën

 

Shefat ushtarakë të NATO-s do të mblidhen të martën në Bruksel, ku në qendër të diskutimeve do të jetë nevoja urgjente për rritjen e prodhimit të armëve dhe municioneve. Shqetësimi kryesor lidhet me luftën kundër Iranit, e cila po konsumon me ritme të shpejta rezervat ushtarake të aleancës.

 

Sipas të dhënave të Pentagonit, konflikti i ka kushtuar deri tani ushtrisë amerikane mbi 29 miliardë dollarë, ndërsa SHBA po përdor sasi të mëdha municionesh dhe sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore, përfshirë Patriotët. Kjo ka ngritur frikën se pajisjet komplekse nuk mund të zëvendësohen aq shpejt sa po shpenzohen.

 

Një burim i lartë ushtarak i NATO-s tha për Euronews se aleanca ka nevojë për shumë më tepër municione dhe për kapacitet për ta rritur prodhimin me shpejtësi, kapacitet që aktualisht nuk e ka në nivelin e duhur.

 

Një tjetër shqetësim i madh është ndikimi te Ukraina. Vendet evropiane të NATO-s druhen se armët dhe sistemet amerikane të mbrojtjes të porositura për Kievin mund të vonohen ose të mos dorëzohen fare, nëse lufta me Iranin vazhdon të konsumojë rezervat amerikane.

 

Takimi vjen edhe në një moment tensioni në Evropë, pas alarmit për dronë në hapësirën ajrore të Finlandës dhe pas vendimit të SHBA-së për të anuluar dislokimin e një brigade me mbi 4 mijë trupa në Poloni, çka ka ngritur pikëpyetje për praninë amerikane në kontinent.

 

Në sfond mbetet edhe paralajmërimi i Donald Trump ndaj Iranit. Presidenti amerikan ka shtyrë përkohësisht një sulm të planifikuar pas kërkesës së vendeve të Gjirit, por ka lënë të hapur opsionin ushtarak nëse diplomacia dështon dhe Teherani nuk pranon një marrëveshje që e ndalon nga armët bërthamore.

XS
SM
MD
LG