Irani zyrtarizon “portën” e Hormuzit: anijet duhet të marrin leje dhe të paguajnë për të kaluar
Irani ka zyrtarizuar një mekanizëm të ri për kontrollin e kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, përmes një autoriteti që do të japë leje tranziti dhe do të mbledhë tarifa kalimi.
Sipas Teheranit, anijet duhet të aplikojnë me të dhëna për pronësinë, sigurimin, ekuipazhin, ngarkesën dhe itinerarin, ndërsa leja jepet vetëm pas miratimit dhe pagesës. Ende nuk ka një tarifë zyrtare, por raportimet flasin për pagesa që mund të kenë shkuar deri në 2 milionë dollarë për anije.
Autoriteti do të veprojë në koordinim me Marinën e Gardës Revolucionare, e cila kontrollon fizikisht lëvizjen në këtë korridor strategjik. Irani thotë se sistemi synon të vendosë rregull dhe të shmangë operatorët e dyshimtë që kishin nisur të ofronin dokumente jozyrtare kalimi.
SHBA, vendet e Gjirit dhe Evropa pritet ta kundërshtojnë fort këtë regjim tarifor, pasi Ngushtica e Hormuzit konsiderohet rrugë ndërkombëtare tranziti dhe përmes saj kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm të tregtuar në botë.
Në thelb, Irani po e përdor Hormuzin si instrument presioni në mes të krizës me SHBA-në, sanksioneve ndaj naftës dhe negociatave të ndërmjetësuara nga Pakistani.