Lidhje


Sulmi në xhami trondit Kaliforninë, Newsom: Nuk do të tolerojmë terror ndaj komuniteteve fetare

 

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka reaguar ashpër pas sulmit me armë në Qendrën Islamike të San Diegos, ku humbën jetën pesë persona, përfshirë edhe dy autorët e dyshuar të ngjarjes.

 

Në një deklaratë zyrtare, Newsom tha se ishte i tronditur nga sulmi, duke theksuar se një vend ku familjet dhe besimtarët mblidhen për lutje u kthye në skenë dhune dhe terrori. Ai u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave dhe komunitetit mysliman të San Diegos.

 

“Adhuruesit kudo nuk duhet të kenë frikë për jetën e tyre. Urrejtja nuk ka vend në Kaliforni dhe ne nuk do të tolerojmë akte terrori apo frikësimi kundër komuniteteve fetare”, deklaroi Newsom.

 

Sipas autoriteteve lokale, tre persona u qëlluan për vdekje gjatë sulmit, mes tyre edhe një roje sigurie e qendrës. Dy të dyshuarit për sulmin u gjetën gjithashtu të vdekur nga plagë të vetëshkaktuara me armë zjarri.

 

Hetuesit po punojnë për të zbardhur motivet e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse sulmi ishte i motivuar nga urrejtja fetare. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë një përfundim zyrtar mbi motivin, ndërsa siguria rreth objekteve fetare në zonë pritet të forcohet pas ngjarjes.

 

Sulmi ka shkaktuar tronditje në komunitetin mysliman dhe ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e vendeve të adhurimit në SHBA, në një kohë kur autoritetet lokale dhe federale po hetojnë rrethanat e plota të krimit.

XS
SM
MD
LG