Lidhje


Evropa kërkon një zë përballë Putinit: Merkel dhe Draghi në tryezë për negociatat me Rusinë

 

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, dhe ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, po shqyrtohen nga qeveritë e Bashkimit Evropian si figura të mundshme për të përfaqësuar Evropën në negociata eventuale me Rusinë për luftën në Ukrainë.

 

Sipas raportimit të Financial Times, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të diskutojnë javën e ardhshme në Qipro emrat e mundshëm, në një moment kur po rritet presioni që Evropa të ketë rol më të drejtpërdrejtë në bisedimet me Vladimir Putinin.

 

Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ndërpreu thuajse të gjitha kanalet zyrtare të komunikimit me Moskën. Por mungesa e progresit në përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja dhe frika se Evropa mund të mbetet jashtë një marrëveshjeje të mundshme po e shtyn Brukselin të mendojë për një të dërguar të përbashkët.

 

Administrata e Donald Trump, e fokusuar aktualisht te lufta në Lindjen e Mesme, mësohet se nuk është kundër një kanali paralel evropian me Rusinë. Edhe Ukraina ka kërkuar që Evropa të ketë zë dhe prani të fortë në çdo proces negociues.

 

Përveç Merkel dhe Draghi-t, në diskutim janë përmendur edhe presidenti finlandez Alexander Stubb dhe ish-presidenti Sauli Niinistö. Megjithatë, mes vendeve anëtare ka ende mosmarrëveshje për rolin, mandatin dhe efektivitetin e një përfaqësuesi të tillë, si dhe dyshime nëse Putini do ta pranonte seriozisht një kanal evropian.

 

Në thelb, BE-ja po përpiqet të shmangë skenarin ku paqja për Ukrainën negociohet pa të. Për këtë arsye, emërimi i një figure të rëndë si Merkel ose Draghi shihet si tentativë për t’i dhënë Evropës peshë politike në një proces që deri tani është dominuar nga Uashingtoni.

XS
SM
MD
LG