Lidhje


Berisha: Do paraqesim hartën territoriale më të mirë në interes të qytetarëve

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të paraqesë një hartë të re territoriale që, sipas tij, do të jetë në interesin më të mirë të qytetarëve. Gjatë një deklarate për mediat, ai vlerësoi punën e komisionit të reformës territoriale dhe dëgjesat publike të zhvilluara me qytetarët në lidhje me ndarjen administrative të vendit.

 

“Po bëhet një punë shumë e mirë nga komisioni i reformës territoriale. Janë organizuar dëgjesa, në vlerësimin tim, të rëndësishme dhe të çmuara, ku shqiptarët kanë dëgjuar vlerësimet e tyre, vlerësimet e qytetarëve për pseudoreformën e Edi Ramës, e cila ishte e tëra në funksion të shpopullimit të Shqipërisë dhe farsës elektorale të qeverisë.

 

Unë përshëndes anëtarët e komisionit, përshëndes qytetarët dhe i garantoj se ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve”, tha kreu i PD.

 

Ai shtoi se opozita do të mbështetet në ekspertizën e Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, si dhe në praktikat e vendeve evropiane për të hartuar një ndarje të re territoriale.

 

“Për paraqitjen e hartës na e bën të mundur plotësisht ekspertiza e jashtëzakonshme që ka Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, praktika shumë e pasur e vendeve evropiane, të cilat kanë komuna nga 80 banorë në 1 milion banorë.

 

Në vendin më malor të Evropës, shuajti çdo komunë malore. I ra vizë 80 përqind të territorit të Shqipërisë. As Çubrilloviçi nuk do ta bënte këtë. Ndaj dhe unë e vlerësoj shumë punën me transparencë që po bëhet dhe dëgjesat që po organizohen”, theksoi Berisha.

XS
SM
MD
LG