Izraeli po përdor poshtërimin kundër aktivistëve të flotiljes së Gazës
Grupi i të drejtave të njeriut "Adalah" në Izrael ka akuzuar autoritetet se kanë përdorur "politikë kriminale abuzimi dhe poshtërimi" kundër aktivistëve të ndaluar nga flotilja e ndihmës për në Gaza pas një sulmi në ujërat ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Grupi "Adalah" tha se videot e qarkulluara nga porti i Ashdodit në jug të Izraelit tregonin rojet e burgut dhe ushtarët izraelitë duke sulmuar dhe poshtëruar aktivistët që ishin përpjekur të thyenin bllokadën e Izraelit ndaj Gazës dhe të ofronin ndihmë humanitare.
Një video e ndarë nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, tregonte aktivistët pas mbërritjes së tyre në port, ndërsa ministrja e Transportit, Miri Regev ngarkoi një video tjetër në të cilën i përshkroi aktivistët si "mbështetës të terrorizmit" dhe "të droguar me alkool".
Pamjet e transmetuara nga transmetuesi izraelit "Channel 14" treguan aktivistët të gjunjëzuar me duart e prangosura pas shpine dhe fytyrat e përkulura në dysheme, ndërsa himni kombëtar izraelit luhej në sfond.
"Pas kapjes së paligjshme të flotiljes në ujërat ndërkombëtare dhe rrëmbimit të paligjshëm të mbi 400 aktivistëve nga e gjithë bota, Izraeli po përdor politikë kriminale abuzimi dhe poshtërimi kundër aktivistëve që kërkojnë të përballen me krimet e vazhdueshme të Izraelit kundër popullit palestinez", tha Adalah.
Grupi i të drejtave tha se ka dokumentuar "modele të ngjashme keqtrajtimi" gjatë misioneve të mëparshme të flotiljes "për të cilat Izraeli nuk u përball me asnjë përgjegjësi".
"Adalah" tha se avokatët dhe ekipi i vullnetarëve të saj kishin hyrë në mjediset e portit për të ofruar ndihmë ligjore për aktivistët dhe do të vazhdonin të kërkonin lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte. "Komuniteti ndërkombëtar duhet të marrë masa urgjente për të mbrojtur anëtarët e flotiljes kundër kësaj sjelljeje brutale dhe të paligjshme nga zyrtarët izraelitë", shtoi ajo.
Dje, organizatorët e flotiljes së ndihmës thanë se më shumë se 87 aktivistë kishin filluar një grevë urie në protestë kundër rrëmbimit të tyre nga Izraeli dhe në solidaritet me 9.500 të burgosur palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.
Sipas organizatorëve, forcat izraelite të hënën sulmuan gjithsej 50 anije që transportonin 428 persona nga 44 vende, përfshirë 78 qytetarë turq, në ujërat ndërkombëtare. Flotilja u nis të enjten nga rrethi turk Marmaris në një përpjekje të re për të thyer bllokadën e paligjshme izraelite të vendosur në Gaza që nga viti 2007.
Ky nuk ishte incidenti i parë i tillë që përfshinte flotiljen. Në fund të muajit prill, ushtria izraelite sulmoi anijet e flotiljes në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit grek të Kretës. Flotilja në atë kohë përfshinte 345 pjesëmarrës nga 39 vende, përfshirë qytetarë turq.
Izraeli ka vendosur bllokadë shkatërruese në Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke i lënë 2.4 milionë banorët e territorit në prag të urisë. Ushtria izraelite nisi ofensivë brutale dyvjeçare në Gaza në tetor të vitit 2023, duke vrarë mbi 72 mijë njerëz, duke plagosur mbi 172 mijë të tjerë si dhe duke shkaktuar shkatërrime masive në të gjithë territorin e rrethuar.