Meloni thërret ambasadorin izraelit: “E papranueshme”, Italia kërkon lirimin e aktivistëve të flotiljes për Gazën
Italia do të thërrasë ambasadorin izraelit pas trajtimit të aktivistëve të flotiljes humanitare që po përpiqej të dërgonte ndihma në Gaza. Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani e cilësuan të papranueshme sjelljen ndaj protestuesve, mes të cilëve kishte edhe shumë qytetarë italianë.
Në deklaratën e përbashkët, Meloni dhe Tajani thanë se pamjet ku shfaqej ministri izraelit Itamar Ben-Gvir ishin të papranueshme dhe se aktivistët ishin trajtuar në mënyrë që cenonte dinjitetin njerëzor. Qeveria italiane kërkoi sqarime zyrtare nga Izraeli, lirimin e qytetarëve italianë të përfshirë dhe një kërkimfalje për mënyrën si u trajtuan.
Sipas Flotiljes Globale “Sumud”, Izraeli sekuestroi të 50 anijet e konvojit, ku ndodheshin 428 persona nga 44 vende. Anijet ishin nisur nga Marmarisi i Turqisë me synimin për të thyer bllokadën izraelite ndaj Gazës dhe për të dërguar ndihma humanitare në territorin e rrethuar.
Ky nuk është incidenti i parë me flotiljen. Në fund të prillit, ushtria izraelite kishte sulmuar anije të saj në ujërat ndërkombëtare pranë Kretës, në një tjetër përplasje që kishte shkaktuar reagime ndërkombëtare.
Ngjarja vjen në sfondin e bllokadës së gjatë izraelite ndaj Gazës dhe luftës që ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima, shkatërrime masive dhe krizë të rëndë humanitare në territor. Përplasja e fundit ka tensionuar edhe më shumë raportet mes Romës dhe Tel Avivit.