Lidhje


Lufta, faturë e frikshme për SHBA-në: 42 mjete ajrore të humbura dhe miliarda dollarë dëm

 

Operacioni ajror 40-ditor “Epic Fury”, i ndërmarrë nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit, ka shkaktuar humbje të mëdha për flotën ajrore amerikane dhe ka ngritur shqetësime serioze në Kongres për gatishmërinë ushtarake të SHBA-së.

 

Sipas një raporti të Shërbimit të Kërkimit të Kongresit, gjatë operacionit u humbën ose u dëmtuan 42 mjete ajrore amerikane, me një kosto fillestare të vlerësuar në 2.6 miliardë dollarë, ndërsa zëvendësimi i tyre mund të kalojë 7 miliardë dollarë. Mes humbjeve përmenden avionë F-15E, një F-35A, A-10, shtatë cisterna KC-135, një avion AWACS E-3, dy MC-130J, një helikopter HH-60W, një MQ-4C Triton dhe 24 dronë MQ-9 Reaper.

 

Dronët rezultuan kategoria më e goditur, duke përbërë mbi 60% të humbjeve, ndërsa dëmtimi i avionëve cisternë dhe i avionit AWACS shihet si goditje e rëndë për aftësitë amerikane të furnizimit, mbikëqyrjes dhe koordinimit ajror. Raporti thekson se një F-35A u dëmtua për herë të parë në një mision real luftarak, dyshohet nga mbrojtja ajrore iraniane.

 

Operacioni përfshiu rreth 13 mijë fluturime dhe kostoja totale e fushatës ushtarake vlerësohet në rreth 29 miliardë dollarë, pa përfshirë plotësisht koston e rikuperimit të flotës. Raporti paralajmëron se lufta tregoi cenueshmërinë e forcave amerikane përballë mbrojtjes ajrore, dronëve dhe raketave të një kundërshtari si Irani, ndërsa rreth 90% e impianteve nëntokësore iraniane për raketa raportohet se mbeten funksionale.

XS
SM
MD
LG