Lirohen aktivistët e flotiljes për Gazën, mbërrijnë në Stamboll
Tre avionë me aktivistë të flotiljes humanitare Global Sumud, të ndaluar më herët gjatë kësaj jave nga Izraeli në ujërat ndërkombëtare, mbërritën të enjten në Stamboll.
Tre avionë të Turkish Airlines, që transportonin aktivistët e ndaluar në bordin e flotiljes, u ulën në aeroportin e Stambollit. Flotilja ishte sulmuar nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare, teksa po përpiqej të thyente bllokadën ndaj Gazës dhe të dërgonte ndihma jetike humanitare.
Aktivistët u pritën në sallën VIP të aeroportit nga familjarët e tyre dhe nga një numër i madh zyrtarësh. Ata që kishin pësuar lëndime u dërguan drejt ambulancave që prisnin në aeroport.
Pas ceremonisë së pritjes, aktivistët pritet të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll, ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve në kuadër të një hetimi të nisur nga prokurorët e Stambollit.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi më herët të enjten se ishte organizuar një fluturim i posaçëm për të kthyer në Turqi shtetasit turq dhe pjesëmarrësit nga vende të treta që ishin pjesë e flotiljes humanitare.
Flotilja njoftoi të martën se të gjitha 50 anijet e konvojit të saj ishin sekuestruar nga Izraeli pas sulmeve në ujërat ndërkombëtare.
Sipas flotiljes, në bordin e saj ndodheshin 428 persona nga 44 vende. Konvoji ishte nisur të enjten e kaluar nga Marmaris i Turqisë, në përpjekjen më të fundit për të thyer bllokadën izraelite ndaj Rripit të Gazës, të vendosur që nga viti 2007, e cila ka lënë një pjesë të madhe të popullsisë në prag të urisë.