Lidhje


Lufta me Iranin godet Tajvanin: SHBA pezullon shitjen 14 miliardë dollarëshe të armëve

 

Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht shitjen e armëve me vlerë 14 miliardë dollarë për Tajvanin, duke e lidhur vendimin me nevojën për të ruajtur municionet për luftën me Iranin dhe operacionin amerikan “Epic Fury”.

 

Sekretari në detyrë i Marinës, Hung Cao, tha në Senat se SHBA-ja po bën një “pauzë” për të garantuar se ka rezervat e nevojshme të municioneve, por këmbënguli se ushtria amerikane ka ende raketa dhe interceptorë “me bollëk”. Sipas tij, shitjet ushtarake të huaja do të rifillojnë kur administrata ta gjykojë të përshtatshme, ndërsa vendimi final do të varet nga Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio.

 

Megjithatë, deklaratat e Cao-s bien ndesh me tonin e presidentit Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se shitja e armëve për Tajvanin mund të përdoret edhe si kartë negociuese me Kinën. Trump tha se ende nuk e ka miratuar marrëveshjen dhe se e kishte diskutuar çështjen “me shumë detaje” me presidentin kinez Xi Jinping.

 

Vendimi ka ngritur shqetësime për angazhimin tradicional të SHBA-së ndaj Tajvanit, pasi për dekada Washingtoni ka respektuar të ashtuquajturat Gjashtë Garanci, të cilat përfshijnë parimin se SHBA-ja nuk konsultohet me Kinën për shitjet e armëve ndaj Tajvanit.

 

Në sfond qëndron edhe presioni mbi rezervat ushtarake amerikane. Raportimet tregojnë se që nga nisja e luftës me Iranin më 28 shkurt, SHBA-ja ka konsumuar mijëra raketa, përfshirë Tomahawk, Patriot, Precision Strike dhe ATACMS. Shtëpia e Bardhë pritet t’i kërkojë Kongresit 80 deri në 100 miliardë dollarë fonde shtesë, kryesisht për të rimbushur arsenalin e konsumuar gjatë konfliktit.

 

Pezullimi i shitjes së armëve ndaj Tajvanit tregon se lufta me Iranin nuk po trondit vetëm Lindjen e Mesme, por edhe ekuilibrat strategjikë në Azi, duke vendosur Tajvanin në mes të krizës amerikane të municioneve dhe lojës së madhe diplomatike me Kinën.

XS
SM
MD
LG