Kuba mund të ketë fatin e Venezuelës: SHBA zhvendos aeroplanmbajtësen Nimitz drejt Karaibeve
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump dyshohet se po shqyrton një skenar presioni ndaj Kubës, të ngjashëm me “modelin venezuelian” të përdorur pas kapjes së Nicolás Maduros. Ky model synon largimin e kreut të regjimit, por ruajtjen e një pjese të aparatit shtetëror për të shmangur kaosin dhe për të hapur rrugën për marrëveshje të reja ekonomike.
Tensionet janë shtuar pas mbërritjes në Karaibet jugore të aeroplanmbajtëses bërthamore Nimitz, një lëvizje që burime amerikane e kanë cilësuar si “shfaqje force”, jo si operacion të madh ushtarak.
Megjithatë, Kuba shihet si rast shumë më i vështirë se Venezuela. Regjimi komunist është në pushtet që nga viti 1959, opozita brenda ishullit është e dobët, ndërsa diaspora kubane në SHBA, veçanërisht në Miami, kërkon ndryshim të plotë regjimi dhe nuk do të pranonte një zgjidhje hibride me mbetje të kastrosizmit.
Në sfond, Trump kërkon një fitore të shpejtë në politikën e jashtme, ndërsa përballet me pakënaqësi në SHBA për luftën e gjatë me Iranin dhe rritjen e çmimeve të karburanteve. Por çdo lëvizje ndaj Havanës mbetet e rrezikshme dhe me pasoja të paparashikueshme.