Incidenti me dronë, Von der Leyen do të udhëtojë në Lituani të martën
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë për në Lituani të martën, pas një sërë ndërhyrjesh me dronë, gjatë të cilave qytetarëve u është kërkuar të gjejnë siguri në bodrume dhe strehimore kundër bombardimeve.
Von der Leyen pritet të takohet me krerët e shteteve dhe qeverive nga vendet baltike për të mbështetur koordinimin e reagimit, thanë tre zyrtarë. Komisioneri i Mbrojtjes Andrius Kubilius do të udhëtojë gjithashtu në Lituani.
Përveç shfaqjes së “solidaritetit me shtetet baltike”, vizita do të përqendrohet në forcimin e aftësive të përbashkëta mbrojtëse përmes skemave kryesore të financimit dhe planifikimit të Komisionit, tha një nga zyrtarët.
Lituania lëshoi një alarm ajror të mërkurën pasi një dron u zbulua pranë kufirit të vendit me Bjellorusinë , dhe si rezultat u aktivizua misioni i patrullimit ajror të NATO-s në Baltik.
Incidenti ndodhi pasi dy dronë ukrainas, të destinuar për Rusinë, u rrëzuan mbi një objekt të zbrazët për ruajtjen e naftës në Letoni në fillim të këtij muaji, duke shkaktuar një krizë që ka çuar në rrëzimin e koalicionit qeverisës . Një avion luftarak i NATO-s rrëzoi një dron në hapësirën ajrore të Estonisë javën e kaluar.
“Kërcënimet publike të Rusisë kundër shteteve tona baltike janë plotësisht të papranueshme”, tha von der Leyen në një mesazh të postuar në mediat sociale javën e kaluar.
“Rusia dhe Bjellorusia mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për dronët që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e njerëzve në krahun tonë lindor. Evropa do të përgjigjet me unitet dhe forcë”, tha ajo.
Tre vendet baltike kanë paralajmëruar se Moska po kërkon të përfitojë nga incidentet për të futur përçarje midis Ukrainës dhe aleatëve të saj të BE-së, duke lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën ata hodhën poshtë “fushatën e hapur të dezinformimit të Rusisë dhe akuzat e saj të fabrikuara pas shkeljeve të hapësirës ajrore, të cilat Rusia i përdor pa turp për të maskuar dështimet e saj ushtarake”.
Në shkurt, BE-ja nisi një plan për të përforcuar shtetet e saj në vijën e frontit, mes shqetësimeve se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe taktikat hibride rrezikojnë të dëmtojnë ekonomitë lokale. Komisioni Evropian po punon gjithashtu mbi plane për të ndihmuar vendet të forcojnë aftësitë e tyre të mbrojtjes ajrore me skema të përbashkëta prokurimi dhe zhvillimi.