Lidhje


Aktivistët australianë të flotiljes rrëfejnë torturat gjatë ndalimit nga Izraeli

 

Aktivistët australianë të cilët morën pjesë në flotën që synonte të dërgonte ndihmë humanitare në Gazën e shkatërruar nga lufta kanë filluar të kthehen në shtëpi, ndërsa kanë rrëfyer torturat dhe abuzimet seksuale gjatë ndalimit nga Izraeli, raportoi media lokale të hënën, transmeton Anadolu.

 

Njëmbëdhjetë australianë ishin midis qindra aktivistëve ndërkombëtarë në bordin e Flotiljes Globale "Sumud" kur ajo u kap dhe u sulmua nga forcat izraelite javën e kaluar në ujërat ndërkombëtare dhe ata u arrestuan.

 

Shumë nga grupi, përfshirë disa australianë, thanë se kanë pësuar thyerje kockash, se janë goditur me elektroshok (tazer) në fytyrë dhe se u janë injektuar substanca të panjohura, raportoi transmetuesi lokal SBS News.

 

Aktivistja Violet Coco, e cila mbërriti në Aeroportin e Melburnit të hënën në mëngjes, tha se autoritetet izraelite rrahën, torturuan dhe sulmuan seksualisht aktivistët e arrestuar gjatë operacionit të flotiljes.

 

Ajo shtoi se të arrestuarit gjithashtu pësuan fraktura dhe lëndime në kokë, ndërsa disa njerëz mbetën pa insulinë dhe ilaçe për presionin e gjakut për disa ditë.

 

Coco tha se u shty nëpër një dhomë të errët, u prek dhe u godit vazhdimisht ndërsa ishte në paraburgim.

 

Gemma O'Toole ishte e para nga aktivistet australiane që u kthye të dielën në mbrëmje dhe rrëfeu një përvojë të ngjashme.

 

Studentja 23-vjeçare mbërriti në Aeroportin e Melburnit, ku u prit me duartrokitje nga miqtë dhe familja.

 

O'Toole tha për "Australian Broadcasting Corporation" se aktivistët i janë nënshtruar abuzimit fizik dhe dhunës seksuale nga forcat izraelite gjatë kohës që ishin në paraburgim.

 

Surya McEwen, një punonjëse kujdesi me diagnozë të dyfishtë nga Uellsi i Ri Jugor, tha se flotilja e fundit ishte përpjekja e tij e tretë për të shpërndarë ndihma.

 

Gjatë paraburgimit të tij më të fundit, ai u mbajt për 80 orë dhe u rrah në një dhomë ndërsa ushtarët izraelitë këndonin himnin kombëtar.

 

McEwen i krahasoi anijet burgje të përdorura nga Izraeli me kampe të të burgosurve të luftës pa vend për të fjetur, me pak tualete dhe platforma nga të cilat ushtarët qëllonin pa dallim plumba gome.

 

Disa anëtarë të delegacionit të ndihmës thanë se po flasin me avokatë për përvojën e tyre dhe duan që provat e mbledhura të përdoren në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për të mbështetur pretendimet për abuzim të palestinezëve.

XS
SM
MD
LG