Gjuha shqipe nuk negociohet”, protestë sot në Tiranë për studentët shqiptarë në Shkup
Një protestë solidarizuese në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbahet sot në Tiranë, pas tensioneve të krijuara për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Tubimi është njoftuar për në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut. Protesta zhvillohet me mesazhin kryesor se përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike dhe në proceset arsimore nuk mund të vihet në diskutim.
Çështja nisi pas kundërshtimeve të studentëve shqiptarë të juridikut në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në shqip. Ata argumentojnë se kanë studiuar në gjuhën shqipe dhe se ligji për përdorimin e gjuhëve u garanton këtë të drejtë.
Aktivisti Mevlan Ademi, një nga zërat kryesorë të protestës, ka paralajmëruar se mobilizimi nuk do të ndalet në Tiranë. Sipas tij, pas protestës në Shqipëri, reagimi do të vijojë edhe në Prishtinë, ndërsa më pas studentët do të rikthehen sërish në Shkup, këtë herë përpara Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Studentët dhe aktivistët e cilësojnë këtë çështje si test të zbatimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa institucionet atje deri tani nuk kanë dhënë një zgjidhje përfundimtare. Në qendër të protestës mbetet thirrja: “Gjuha shqipe nuk negociohet.”