Trump do marrëveshje të arabëve me Izraelin: Arabia Saudite vendos kusht shtetin palestinez
Presidenti amerikan Donald Trump po kërkon që vendet e Lindjes së Mesme dhe aleatë të tjerë të bashkohen me Marrëveshjet e Abrahamit, nëse arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin.
Marrëveshjet e Abrahamit janë pakte për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe disa vendeve arabe e myslimane. Ato nisën në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trump, kur Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini njohën Izraelin, duke u pasuar më pas nga Maroku dhe Sudani. Në këtë proces pati rol edhe dhëndri i Trump, Jared Kushner.
Trump thotë se e ka diskutuar këtë çështje me udhëheqës të Arabisë Saudite, Emirateve, Katarit, Pakistanit, Turqisë, Egjiptit dhe Bahreinit, duke e paraqitur zgjerimin e marrëveshjeve si hap të domosdoshëm pas përpjekjeve amerikane për paqe.
Megjithatë, Arabia Saudite nuk duket se ka ndryshuar qëndrim. Riadi kërkon një rrugë të qartë dhe të pakthyeshme drejt krijimit të një shteti palestinez përpara normalizimit me Izraelin. Edhe vende të tjera mund të jenë të hapura për t’u bashkuar, por vetëm me kushte që lidhen me veprimet izraelite në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Liban.
Në thelb, Trump po përpiqet ta kthejë fundin e luftës me Iranin në një marrëveshje më të gjerë rajonale, ku paqja me Izraelin të bëhet pjesë e arkitekturës së re politike në Lindjen e Mesme.