SHBA s’do Iranin “gjatë natës”, Meksika hap dyert për kombëtaren iraniane në Botëror
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka deklaruar se vendi i saj nuk ka asnjë problem të presë kombëtaren e Iranit gjatë Kupës së Botës, pasi baza stërvitore e ekipit u zhvendos nga SHBA-ja në Tijuana.
Sipas Sheinbaum, një përfaqësues i FIFA-s i kishte komunikuar se Shtetet e Bashkuara nuk dëshironin që ekipi iranian të qëndronte për periudha të gjata apo gjatë natës në territorin amerikan, përtej ndeshjeve zyrtare që do të luhen atje. Pas kësaj, Meksika pranoi që Irani të përdorë Tijuanën si bazë stërvitore.
Zhvendosja vjen në sfondin e luftës në Iran dhe tensioneve të larta mes Teheranit, Uashingtonit dhe Izraelit. Fillimisht, kombëtarja iraniane ishte planifikuar të vendosej në Tucson të Arizonës, por pas përshkallëzimit të situatës, baza u kalua në Meksikë.
Megjithatë, Irani do t’i luajë ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA: kundër Zelandës së Re më 15 qershor në Inglewood, kundër Belgjikës gjashtë ditë më pas dhe kundër Egjiptit më 26 qershor në Seattle.