“Bordi i Paqes” i Trump pa para në arkë: miliardat e premtuara për Gazën mbeten zero
Fondi i krijuar për “Bordin e Paqes”, nismë e presidentit amerikan Donald Trump për menaxhimin dhe rindërtimin e Gazës pas luftës, nuk ka marrë ende asnjë financim të drejtpërdrejtë, pavarësisht premtimeve që arrinin në miliarda dollarë. Sipas një burimi të cituar nga Financial Times, në fond janë depozituar “zero dollarë”.
Edhe pse Maroku ka kontribuar me rreth 20 milionë dollarë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar 100 milionë dollarë për trajnimin e një force të re policore në Gaza, këto para nuk po menaxhohen nga Bordi i Paqes. Fondet e Emirateve madje janë ende të ngrira dhe programi nuk ka nisur.
Departamenti amerikan i Shtetit synon t’i japë bordit rreth 50 milionë dollarë, por as këto fonde nuk janë lëvruar ende. Ndërkohë, bordi thotë se ka nisur procedura tenderimi për sigurinë dhe rindërtimin, por nuk ka dhënë ende kontrata, pasi nuk po operon në terren në Gaza dhe Hamasi nuk është çarmatosur.
Plani i Trump parashikonte çarmatimin e Hamasit, tërheqjen e forcave izraelite dhe rindërtimin e Gazës. Në këtë arkitekturë janë përfshirë edhe Shqipëria dhe Kosova, të cilat kanë rënë dakord të ndihmojnë me dërgimin e trupave ushtarake në Rripin e Gazës.