Trump kërkon 10 miliardë dollarë nga Wall Street Journal: luftë gjyqësore për lidhjet e dyshuara me Epstein
Presidenti amerikan, Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje duke kërkuar të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim kundër Wall Street Journal për raportimin e saj mbi lidhjet e tij të dyshuara me Jeffrey Epstein, pasi një gjyqtar hodhi poshtë një version të mëparshëm për shkak të mangësive ligjore.
Padia është një nga disa që presidenti amerikan ka ngritur kundër mediave dhe është pjesë e asaj që kritikët e quajnë një fushatë më të gjerë presioni kundër medias.
Padia e Trump, e ngritur të mërkurën, pretendonte se gazeta në pronësi të Rupert Murdoch ia dëmtoi reputacionin me një artikull që përshkruante një kartolinë ditëlindjeje për Epstein si të tillë që mbante firmën e Trump. Trump dhe avokatët e tij thanë se kartolina ishte e falsifikuar, edhe pasi u publikua nga ligjvënësit që hetonin çështjen e Epstein.
Trump kërkon të paktën 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, sipas padisë së ndryshuar. Ai kishte kërkuar të njëjtën shumë edhe më parë.
“Në kohën e publikimit, të pandehurit në mënyrë të pamatur shpërfillën nëse deklaratat shpifëse ishin të vërteta dhe/ose ata qëllimisht shmangën zbulimin e së vërtetës”, shkruan avokatët e Trump në padinë e ndryshuar.
Padia, e ngritur në gjykatën federale të Miamit, emëron Rupert Murdoch, Dow Jones, News Corp dhe drejtorin ekzekutiv të saj, Robert Thomson, së bashku me dy gazetarë të Wall Street Journal, Khadeeja Safdar dhe Joseph Palazzolo, si të pandehur, duke thënë se ata shpifën për Trumpin dhe i shkaktuan atij dëme “të mëdha” financiare.