Bllokada që Trump s’e fiton dot shpejt: Irani po e kthen Hormuzin në kurth për SHBA-në
Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane po kthehet në një ngërç të gjatë detar për administratën Trump. Synimi i Uashingtonit ishte të detyronte Teheranin të hapte shpejt Ngushticën e Hormuzit për trafikun tregtar, por ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se bllokadat nuk prodhojnë rezultate brenda javësh. Ato kërkojnë muaj, madje vite presioni.
Irani nuk është një objektiv i lehtë për t’u izoluar vetëm nga deti. Vendi ka kufij tokësorë me disa shtete fqinje dhe lidhje tregtare përmes Detit Kaspik me Rusinë. Kjo e bën presionin amerikan më të ngadaltë dhe më pak vendimtar sesa mund të dukej në fillim.
Në det, përballja është e pabarabartë, por jo e thjeshtë. SHBA ka aeroplanmbajtëse, shkatërrues dhe një flotë gjigante, ndërsa Irani përdor mjete më të lira, por shqetësuese: dronë, mina, raketa bregdetare dhe skafe të shpejta. Këto mjaftojnë për të trembur kompanitë e transportit dhe siguruesit ndërkombëtarë, duke e mbajtur Hormuzin në tension të vazhdueshëm.
Bllokada ka kosto edhe për vetë SHBA-në. Prania e gjatë detare në rajon lodh flotën, rrit shpenzimet dhe i largon kapacitetet amerikane nga zona të tjera strategjike, veçanërisht Azia Lindore. Ndërkohë, çdo incident me dronë, mina apo raketa mund ta kthejë krizën nga presion i kontrolluar në përplasje të hapur.
Përfundimi i analizës është se Uashingtoni mund të ushtrojë presion ekonomik mbi Iranin, por pa një marrëveshje politike do ta ketë shumë të vështirë të rihapë plotësisht tregtinë në Hormuz. Sa më gjatë të zgjasë bllokada, aq më shumë rriten kostot, rreziku i gabimeve ushtarake dhe mundësia e një shpërthimi më të madh rajonal.