Lidhje


Trump: Marrëveshja me Iranin pritet të arrihet gjatë javës së ardhshme

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha për ABC News se ai pret që të arrihet një marrëveshje me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit brenda javës së ardhshme.

 

Duke folur përmes telefonit me korrespondentin në Uashington të ABC News, Jonathan Karl, më 1 qershor, Trump tha se një marrëveshje e paqes mund të jetë “edhe më e mirë sesa një fitore ushtarake”.

 

Një draft-marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Pakistani, javët e fundit është përcjellë mes dy palëve, teksa shumë pasiguri përcjellin negociatat. Një marrëveshje e përkohshme armëpushimi është në fuqi që nga prilli, megjithëse marrëveshja është sfiduar nga sulmet sporadike. Ka pasur, tha presidenti, “armiqësi të mëdha” nga Irani.

 

“Nuk është gjë e lehtë për ta. Në fakt, nuk është e lehtë as nga pikëpamja jonë. Por, ne po bëjmë aq që duhet bërë”, tha Trump. Sa i përket afatit kohor për një marrëveshje të mundshme, presidenti Trump tha se “mendojmë se po flasim për javën e ardhshme”. Udhëheqësi amerikan tha se një marrëveshje nuk është arritur deri më tani sepse “më duhet të siguroj edhe disa pika të tjera”.

 

Ditëve të fundit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë këmbyer sulme, me forcat amerikane që njoftuan për sulme “vetëmbrojtëse” ndaj caqeve iraniane dhe Irani la të kuptohet se kishte sulmuar një bazë amerikane në Kuvajt. Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje vijnë në kohën kur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po pengon në mënyrë të konsiderueshme furnizimet globale me naftë dhe ka bërë që çmimet e energjisë të rriten.

 

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt, ka vrarë mijëra njerëz dhe ka destabilizuar Lindjen e Mesme. Ngushtica e Hormuzit është një rrugë jetike detare përmes së cilës kalon pothuajse pothuajse 20 për qind e furnizimit botëror me naftë nga Gjiri drejt tregjeve ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG