BE rrit presionin ndaj Moskës, propozohet paketa e 21-të e sanksioneve
Qytetarëve rusë që kanë luftuar në Ukrainë mund t’u refuzohen vizat për në vendet e Bashkimit Europian, një masë kjo që parashikohet në paketën e re të sanksioneve që Komisioni Europian ka propozuar ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Paketa e 21-të e sanksioneve gjithashtu parashikon mbajtjen e një çmimi tavan prej 44 dollarësh për fuçi për naftën ruse, me qëllim kufizimin e të ardhurave të Rusisë nga eksportet e naftës, ndërkohë që çmimet e këtij produkti janë rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Lindjen e Mesme.
“Sanksionet tona vijojnë të godasin thellë dhe të dobësojnë themelet e financimit të luftës së Rusisë”, u shpreh presidentja e organit ekzekutiv të bllokut, Ursula von der Leyen, e cila shpjegoi se synimi i ndalimit të vizave për luftëtarët rusë ishte të garantohej që Europa të ishte e paarritshme për këdo që ka marrë pjesë në pushtimin e Ukrainës.
Brukseli gjithashtu po përpiqet të godasë platformat e kriptomonedhave, bankat dhe tregtarët e naftës që ndihmojnë Moskën të shmangë ndikimin e sanksioneve, si dhe ka planifikuar të shtojë në listën e zezë edhe 30 anije cisternë të tjera të së ashtuquajturës “Flota në Hije”, të cilën Moska e përdor për të eksportuar naftën e saj.
Që propozimet e fundit të hyjnë në fuqi, ato duhet të debatohen nga 27 vendet anëtare të bllokut dhe të miratohen në mënyrë unanime.