Lidhje


Vodhën qytetarët, Rumania 710 MILIONË € gjobë rekord për RaifSuden, OTP Bank dhe Intesa Sanpaolo

Këshilli i Konkurrencës në Rumani ka vendosur një nga sanksionet më të mëdha në historinë e sistemit bankar të vendit, duke gjobitur 10 banka tregtare me një total prej 710 milionë eurosh për manipulim të dyshuar të normave të interesit që kanë ndikuar drejtpërdrejt kreditë e qytetarëve.

 

Sipas hetimit, bankat nuk kanë vepruar në mënyrë të pavarur kur përcaktohej norma referencë ROBOR, e cila përdoret për kreditë me interes të ndryshueshëm në monedhën vendase. Në vend të konkurrencës së ndershme, ato kanë shkëmbyer informacione mes tyre, përfshirë çmimet dhe kuotimet e interesit.

 

Kjo sjellje ka bërë që norma e interesit të formohej në mënyrë të ndikuar, duke rritur koston e kredive për qytetarët që kishin marrë kredi para majit 2019.

 

Hetimi ka nisur në tetor 2022, pas dyshimeve për rritje të pazakontë të normave të interesit në tregun bankar.

 

Në listën e bankave të ndëshkuara përfshihen edhe institucione që operojnë në Shqipëri. Raiffeisen Bank u gjobit me 85 milionë euro, ndërsa OTP Bank dhe Intesa Sanpaolo u penalizuan respektivisht me 16.2 milionë dhe 5.4 milionë euro.

 

Autoriteti i Konkurrencës u ka lënë bankave një afat prej 60 ditësh për të ndërprerë praktikat e konsideruara të paligjshme. Sipas legjislacionit rumun, gjobat janë të ekzekutueshme dhe të ardhurat e mbledhura kalojnë në buxhetin e shtetit.

 

Megjithatë, bankat e përfshira kanë kundërshtuar vendimin dhe kanë paralajmëruar beteja ligjore në Gjykatën e Apelit. Çështja tashmë pritet të kalojë në gjykatë, ku bankat do të kërkojnë rrëzimin e vendimit të autoritetit rumun të konkurrencës./joq

XS
SM
MD
LG