Lidhje


“Ukraina duhet të ngrejë flamurin e bardhë”/ Deklarata e Papës zemëron Europën

Qeveria ukrainase iu përgjigj me zemërim dhe u zotua të mos dorëzohet kurrë deklaratave të Papa Françeskut se Kievi duhet të ketë “guximin për të ngritur flamurin e bardhë” dhe për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Në një intervistë të transmetuar të shtunën nga televizioni zviceran, për të cilën Vatikani tha se ishte kryer në shkurt, Papa u kërkoi palëve në Ukrainë që “të kenë guximin për të negociuar” dhe ta bëjnë këtë “para se gjërat të përkeqësohen”.

 

Papa 87-vjeçar u pyet nga transmetuesi publik zviceran RTS për një debat brenda Ukrainës nëse duhej të dorëzoheshin para pushtimit rus. “Unë besoj se më të fortët janë ata që e shohin situatën, mendojnë për njerëzit që kanë guximin të ngrenë flamurin e bardhë dhe të negociojnë. Ajo fjala negocio është një fjalë e guximshme. Kur sheh që je i mundur, se gjërat nuk po shkojnë mirë, duhet të kesh guximin për të negociuar” – tha Papa.

 

Ukrainasit, tha Françesku, nuk duhet të kenë frikë të negociojnë një marrëveshje paqeje përpara se situata të përkeqësohet më tej. “Sot, për shembull me luftën në Ukrainë, ka shumë që duan të veprojnë si ndërmjetës. Turqia, për shembull. Mos ki turp të negociosh përpara se gjërat të përkeqësohen.”“Flamuri ynë është verdheblu. Ky është flamuri me të cilin jetojmë, vdesim dhe mbizotërojmë. Ne kurrë nuk do të ngremë asnjë flamur tjetër”, – shkroi të dielën ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, në mediat sociale.

 

Politikanë dhe analistë në Evropë bënë deklarata të ashpra pasi Papa dha një intervistë në të cilën dukej se po heshte ndaj krimeve të Rusisë si agresor dhe pushtues duke e vendosur barrën mbi Ukrainën për të bërë paqe. Kuleba i bëri thirrje Françeskut që të qëndrojë “në anën e së mirës” dhe të mos i vendosë Rusinë dhe Ukrainën “në të njëjtën peshë dhe të flasë për “negociata”.

 

Ai gjithashtu dukej se i referohej edhe bashkëpunimit mes disave në kishën katolike dhe forcave naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Në të njëjtën kohë, kur bëhet fjalë për flamurin e bardhë, ne e dimë këtë strategji të Vatikanit nga gjysma e parë e shekullit të 20-të. Bëj thirrje që të shmanget përsëritja e gabimeve të së kaluarës dhe të mbështetet Ukraina dhe popullin i saj në luftën e tyre të drejtë për jetën e tyre” – u shpreh Kuleba.

 

Ndërsa Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, shkroi në X: “Njeriu nuk duhet të kapitullojë përballë së keqes. Njeriu duhet ta luftojë dhe ta mposhtë, që e keqja të ngrejë flamurin e bardhë dhe të kapitullojë.”

 

Dennis Radtke, një deputet gjerman kristiandemokrat, tha se fjala “e turpshme” mund të përdoret për të përshkruar komentet e Papës. “Qëndrimi i tij ndaj Ukrainës reflekton keq në pontifikatin e tij. Është e pakuptueshme”, – ka shkruar ai.

 

Anton Gerashchenko, një bloger dhe ish-këshilltar i ministrisë së punëve të brendshme të Ukrainës, shkroi në X: “Duket e çuditshme që Papa nuk mbron Ukrainën, nuk e dënon Rusinë si një agresor që vrau dhjetëra mijëra njerëz, nuk i kërkon Putinit të ndalet, por i bën thirrje Ukrainës që në vend të kësaj të ngrejë flamurin e bardhë. A e ndajnë këtë pozicion të gjithë kardinalët e tij?”

 

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, shkroi në X: “Si thua, që për ekuilibër, të inkurajohet Putini që të ketë guximin të tërheqë ushtrinë e tij nga Ukraina? Paqja do të pasonte menjëherë pa pasur nevojë për negociata.”

 

Alexandra Valkenburg, kryetarja e delegacionit të BE-së në Selinë e Shenjtë, shkoi në X: “Rusia filloi një luftë të paligjshme dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dy vjet më parë”, duke shtuar se Rusia “mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainë”. Ajo tha se BE-ja mbështet Ukrainën dhe planin e saj të paqes.

 

Duke folur për konfliktin në përgjithësi, duke përfshirë luftën Izrael-Gaza, Françesku tha: “Negociatat nuk janë kurrë një dorëzim. Guxim është të mos çosh një vend drejt vetëvrasjes.”

 

Drejtori i Komunikimeve të Vatikanit, Matteo Bruni, lëshoi një deklaratë duke kërkuar të sqarojë fjalët e Papës. Ai tha se Françesku kishte përdorur termin flamur i bardhë “për të treguar një ndërprerje të armiqësive, një armëpushim për të arritur me guxim drejt negociatave”. Ai përsëriti thirrjen e Papës për një “zgjidhje diplomatike në kërkim të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme” në atë që Françesku e quajti Ukrainën “e martirizuar”./Nga Lapsi.al

XS
SM
MD
LG