Shuhen shpresat për 'non gratat' - Trump zgjat me një vit gjendjen e emergjencës kombëtare në Ballkanin Perëndimor
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vendosur të zgjasë edhe për një vit gjendjen e emergjencës kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor. Sipas dokumentit të siguruar nga gazetari Thimi Samarxhiu, Trump argumenton se situata në rajon vazhdon të paraqesë rreziqe për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane.
Vendimi mban në fuqi regjimin e sanksioneve dhe masave ndëshkuese ndaj individëve, grupeve dhe organizatave që konsiderohen se minojnë paqen, stabilitetin, marrëveshjet e pasluftës dhe institucionet demokratike në rajon.
Sipas administratës amerikane, vazhdojnë të ekzistojnë shqetësime lidhur me përpjekjet për të sfiduar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të dobësuar institucionet e krijuara pas konflikteve të viteve ’90, si dhe për korrupsionin e rëndë që pengon sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik.
Shtëpia e Bardhë vlerëson se veprimet destabilizuese, dhuna ekstremiste, korrupsioni dhe përpjekjet për të shmangur sanksionet amerikane vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për stabilitetin rajonal dhe interesat e Shteteve të Bashkuara.
Me këtë vendim, baza ligjore që i lejon Uashingtonit të vendosë ose të mbajë në fuqi sanksione ndaj personave dhe subjekteve të lidhura me aktivitete destabilizuese në Ballkanin Perëndimor do të mbetet aktive deri në qershor të vitit 2027.
Regjimi i emergjencës kombëtare për Ballkanin Perëndimor është në fuqi që prej vitit 2001, por është zgjeruar në disa raste gjatë viteve për të përfshirë edhe korrupsionin e rëndë, minimin e institucioneve demokratike dhe kërcënimet ndaj marrëveshjeve të paqes në rajon.