Izraeli: Ushtria nuk do të largohet nga Libani "edhe nëse SHBA-ja e kërkon" këtë
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga zonat e pushtuara në jug të Libanit, edhe nëse një gjë e tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një aktiviteti në Tel Aviv, Katz tha se Izraeli do të vazhdojë të mbajë atë që e quan “zonë sigurie” në territorin libanez. Sipas tij, prania e forcave izraelite në jug të Libanit është pjesë e doktrinës së sigurisë së Izraelit dhe synon mbrojtjen e komuniteteve izraelite pranë kufirit.
Deklaratat vijnë në një moment kur zyrtarë të lartë izraelitë, përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, kanë përsëritur qëndrimin se Izraeli do të ruajë kontrollin mbi zonat e pushtuara në jug të Libanit. Kjo ndodh pavarësisht mirëkuptimit të fundit SHBA–Iran, ku përfshihen angazhime për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit.
Katz u shpreh gjithashtu se Izraeli nuk do të lejojë kthimin e rreth 200 mijë libanezëve në zonat e tyre në jug të vendit, me pretendimin se prania e civilëve mund të krijojë rrezik për ushtarët izraelitë. Ai tha se infrastruktura në këto zona është shkatërruar, shtëpitë janë rrënuar dhe se ushtria nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Sipas të dhënave zyrtare libaneze të cituara nga Anadolu, që prej 2 marsit sulmet izraelite në Liban kanë shkaktuar 4.192 të vrarë, 12.171 të plagosur dhe më shumë se një milion të zhvendosur.
Deklaratat e Katz u bënë ndërsa delegacione nga Libani dhe Izraeli po zhvillojnë në Washington raundin e pestë të bisedimeve. Sipas mediave izraelite, në diskutim është edhe mundësia që disa zona të kontrolluara nga Izraeli të kalojnë nën përgjegjësinë e ushtrisë libaneze, por deklaratat e ministrit izraelit sinjalizojnë një qëndrim të ashpër kundër tërheqjes së plotë.
Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll edhe territore palestineze dhe zona në Siri, ndërsa përballet me thirrje ndërkombëtare për tërheqje dhe për respektimin e rezolutave të OKB-së.