Lidhje


Trump çon në samitin e NATO-s Ngushticën e Hormuzit: Aleatët nën presion për sigurinë detare

 

Siguria në Ngushticën e Hormuzit pritet të jetë një nga temat kryesore të diskutimit në samitin e NATO-s që nis sot në Ankara të Turqisë. Një zyrtar i lartë amerikan tha se administrata Trump pret që udhëheqësit e Aleancës të trajtojnë çështjen e mbrojtjes së trafikut detar në një prej pikave më të rëndësishme strategjike të botës.

 

“Besoj se Ngushtica e Hormuzit dhe mbrojtja e trafikut detar që kalon aty do të jenë patjetër pjesë e diskutimeve”, u shpreh zyrtari amerikan.

 

Sipas tij, disa vende anëtare të NATO-s kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar në përpjekjet për sigurinë detare. Megjithatë, ai nënvizoi se shumë prej tyre nuk disponojnë anijet apo kapacitetet e nevojshme për të dhënë një kontribut real në një operacion të tillë.

 

Zyrtari shtoi se mesazhi më i gjerë i administratës Trump ndaj aleatëve mbetet i njëjtë: rritje e shpenzimeve për mbrojtjen dhe forcim i gatishmërisë ushtarake.

 

“Ky është konteksti në të cilin po punojmë, ndërsa u bëjmë presion aleatëve tanë të bëhen më të aftë dhe të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre, e për rrjedhojë edhe në mbrojtjen kolektive”, tha ai.

 

Presidenti Donald Trump është nisur drejt Ankarasë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

XS
SM
MD
LG