Lidhje


Apeli vendos fatin e Le Pen: Bardella gati të marrë flamurin e së djathtës ekstreme në Francë.

 

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Marine Le Pen pritet të jetë një moment përcaktues për të ardhmen politike të Francës dhe për të djathtën ekstreme evropiane. Gjykata pritet të vendosë sot mbi apelin e Le Pen në çështjen e përvetësimit të fondeve evropiane, një dosje që mund të përcaktojë nëse 57-vjeçarja, tri herë kandidate për presidente të Francës, do të ketë mundësi të garojë sërish për Pallatin Elysee.

 

Sipas mediave të huaja, vendimi nuk lidhet vetëm me fatin personal politik të Le Pen, por edhe me të ardhmen e Rassemblement National. Nëse ajo skualifikohet nga gara presidenciale, drejtimin politik të betejës mund ta marrë Jordan Bardella, 30-vjeçari që shihet si pasardhësi i saj natyral në krye të partisë.

 

Le Pen ka këmbëngulur se ajo mbetet kandidatja e partisë, por ka pranuar se nëse vendimi i gjykatës e pengon të kandidojë, do të mbështesë Bardellën.

 

“Nëse dënohem në korrik dhe nuk mund të kandidoj, do të bëj fushatë për Jordan Bardellën”, ka deklaruar ajo.

 

Në mars, Marine Le Pen u dënua me pesë vjet burg, me dënim të pezulluar në pritje të shqyrtimit të apelit. Ajo akuzohet se ka përdorur në mënyrë të paligjshme rreth 474 mijë euro nga fondet e Parlamentit Evropian për të paguar bashkëpunëtorë gjatë kohës kur ishte eurodeputete, nga viti 2009 deri në vitin 2016. Sipas akuzës, fondet janë përdorur për aktivitete që i shërbenin agjendës së brendshme politike të partisë.

 

Çështja prek edhe eurodeputetë të tjerë të Rassemblement National, të cilët dyshohet se kanë kanalizuar miliona euro nga fondet evropiane drejt veprimtarive partiake.

 

Edhe pse Le Pen dhe Bardella përfaqësojnë të njëjtën linjë politike, profili i tyre publik është i ndryshëm. Le Pen ka kaluar më shumë se dy dekada duke tentuar ta distancojë partinë nga trashëgimia e babait të saj, Jean-Marie Le Pen, dhe nga akuzat historike për ekstremizëm e racizëm.

 

Bardella, nga ana tjetër, është shfaqur si fytyra e re e partisë në një periudhë rritjeje elektorale. Ai mban një qëndrim të ashpër kundër emigracionit, por e kombinon atë me një gjuhë më moderne, më të drejtpërdrejtë dhe më të pranueshme për elektoratin e biznesit dhe të tregut.

 

Vendimi i Apelit pritet të tregojë nëse e djathta ekstreme franceze do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me figurën historike të Marine Le Pen, apo me një brez të ri të përfaqësuar nga Jordan Bardella.

XS
SM
MD
LG